E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me çmimin, të ndërhyjë Enti Rregullator

SHKRUAN: Sabina Veizaj 31-01-2011 12:20

Shoqata e biznesit Konfindustria vazhdon të ngrejë shqetësimin për çmimin e lartë dhe abuziv të karburanteve në vend, duke i kërkuar ndërhyrjen në treg Entit Rregullator të Karburanteve.

Konfindustria ka kërkuar dje publikisht nga Enti Rregullator i Karburanteve, që ky i fundit si institucion rregullues të ndërhyjë në çmimet abuzive që mbizotërojnë në tregun e karburanteve në vend. “Ky institucion duhet të shërbejë si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet subjektive të çmimeve në tregun strategjik të karburanteve, tregun e gazit të lëngshëm, krahasuar me çmimet e tregjeve ndërkombëtare, për shmangien e kostove shtesë për bizneset, industrive dhe qytetarëve shqiptarë”, - është shprehur në një komunikim me mediat kreu i kësaj shoqate, Gjergj Buxhuku. Kjo shoqatë biznesi, gjykon se nga janari i vitit 2011 konsumatorët me pakicë të karburanteve dhe gazit në Shqipëri, po përballen pothuaj me të njëjtat nivele, sikundër ishin në kulmin e çmimeve në fund të vitit 2008 edhe pse çmimet respektive në tregjet ndërkombëtare në vitin 2011 janë pothuaj 90% më të ulëta sesa ato në vitin 2008. Duke iu referuar kursit të këmbimit, Konfindustria mendon se, monedha kombëtare lekë në periudhat krahasimore të mësipërme është zhvleftësuar kundrejt dollarit amerikan USD($) jo më shumë sesa 28%. Duke iu referuar kësaj situate, sipas Konfindustrisë rrezikon që çmimet e karburanteve të rriten në vazhdimësi në nivele të tjera mjaft më të larta, nëse vlerësohet edhe kahu për rritje të dukshme i çmimeve në tregjet ndërkombëtare. “Tregu i karburanteve dhe gazit me një qarkullim vjetor prej 800-900 milion euro/vit përbën tregun më të madh në vend me ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e ekonomisë, sidomos industrive, si dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptare. Kostot shtesë të panevojshme, të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve, ndikojnë në uljen e fuqisë konkurruese të prodhimeve vendore, krahasimisht prodhimeve të huaja, duke shtuar kështu problematikën shqetësuese në ekonominë shqiptare, sidomos në kushtet e pasojave të krizës globale”, - tha Buxhuku. Ndërsa çmimi i karburanteve në vend vazhdon të luhatet në të njëjtat kuota. Në pikat e shitjes me pakicë, në karburantet e kryeqytetit vihet re se një litër naftë shitet nga 150-160 lekë. Çmimi i arit të zi nuk është i unifikuar, madje tregtarët heqin edhe tabelat informuese të çmimeve për të rritur sipas dëshirës çmimin e produktit që tregtojnë. Ata argumentojnë rritjen e çmimit me ndikimin e bursës ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, pavarësisht bursës ndërkombëtare dhe raportit kërkesë-ofertë për këtë produkt, çmimet shumë të larta të naftës në vend shpjegohen vetëm me spekulimin që bëjnë vetë tregtarët. Edhe konsumatorët, të cilët ankohen për çmimin e rritur në mënyrë të menjëhershme të naftës, sqarojnë se ky fenomen shpjegohet vetëm me abuzim. Sipas ekspertëve të ekonomisë, përsa i përket çmimit jo të unifikuar të naftës në tregun vendas, këtu mund të ndërhyjë vetëm qeveria me politika fiskale, duke ulur akcizën, gjë që nuk i intereson ta bëjë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›