E Diel, 1 Nëntor 2026

Bujqësia Shqiptare në Berlin shpalos mundësitë e zhvillimit

Në kuadër të forumit për ushqimin dhe agrikulturën në Berlin u zhvillua javën e kaluar një panel diskutimi, për mundësitë e investimeve në Evropën Juglindore. Në Europën juglindore investimet janë bërë kryesisht në banka, infrastrukturë dhe prodhim, por shumë pak në bujqësi. Bujqësia në rajon jep në shumë vende një pjesë të konsiderueshme të prodhimit bruto. Për këtë arsye, Komisioni lindor i ekonomisë gjermane dhe Shoqata e Europës qendore dhe lindore organizuan panelin e diskutimit me specialistë, investitorë dhe qeveritarë nga rajoni. Përfaqësuesit nga rajoni treguan për mundësitë e vendeve të veta. e ku mund të investohet në Shqipëri në bujqësi e tregon Reinhard Hanke, nga programi për përpilimin e strategjisë për zhvillimin rural, pranë Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë: "Unë mendoj se fushat me peshë në bujqësi janë prodhimi i perimeve dhe frutave, si dhe prodhimi i mishit e i qumështit. Në këto sektorë do të orientohen programet nxitëse të investimeve. Unë mendoj se, këto janë fushat më atraktive ku mund të investohet në bujqësi në Shqipëri. Ekzistojnë edhe mundësi për të zbuluar pjesë të pambuluara të tregut, por këta janë katër sektorët që janë në qendër të politikës së nxitjes së investimeve. Nëse në këto fusha investohet në prodhim, atëherë duhen bërë investime edhe në fushën e përpunimit të perimeve dhe frutave, si dhe në përpunimin e mishit dhe të qumështit". Në Shqipëri strukturat janë të vogla me 350 mijë fshatarë, ndërmarrjet janë shumë të vogla, sipërfaqet në dispozicion janë shumë të vogla, kështu që është e vështirë që të ofrohet një produkt në sasinë dhe cilësinë që kërkon BE.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›