E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me pronat, KLSH padit ish-drejtuesit vendorë

Pas Kasharit, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon shkelje të reja mbi pronat publike, urbanistikën dhe veprimtarinë ekonomiko-financiare të pushtetit vendor në tri bashki të vendit. Lajmi është bërë me dije nga KLSH-ja dhe në qendër të akuzave për shpërdorim të detyrës janë tri bashki, si Bashkia Orikum, Bashkia Korçë dhe Bashkia Mirditë. Periudha e kontrollit të inspektorëve të KLSH ka përfshirë aktivitetin e kryer nga tri bashkitë e sipërpërmendura nga data 1 janar 2005, deri më 31 dhjetor 2006. Për të gjitha shkeljet e konstatuara në Bashkinë Orikum, KLSH ka përgatitur "kallëzim penal" ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Orikum, Beqir Kashuri dhe ish-drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë Orikum, Genti Bani. Nga kontrolli i ushtruar u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore e nënligjore me një dëm ekonomik në vlerë 47 milionë lekë. Dëmi ekonomik i evaduar në Bashkinë e Orikumit është në vlerën 25 milionë lekë. Sipas raportit përfundimtar të KLSH për Bashkinë e Orikumit, vetëm në fushën urbanistike rezulton një dëm prej 20.7 milionë lekësh, si rezultat i moszbatimit të nenit 51 të ligjit nr.8405, datë 17.09.1998 "për urbanistikën". Duke iu referuar raportit të KLSH për këtë bashki, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Orikumit, gjatë 1 janar 2005-31 dhjetor 2006 është kryer zbardhja e lejeve të ndërtimit pa kaluar për shqyrtim në KRRT-në e Këshillit të Qarkut Vlorë, por vetëm me një vendim të Këshillit të Bashkisë Orikum, ku sheshet e ndërtimit janë dhënë në pronë publike. "Në 16 raste kërkesat për leje sheshi dhe leje ndërtimi kanë kaluar për shqyrtim dhe miratim direkt në KRRT-në e Bashkisë Orikum, pa i paraqitur më parë në Këshillin Teknik, i cili shqyrton dhe jep mendim për anën ligjore-teknike", theksohet në raportin më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në këtë raport evidentohet se në pesë raste është dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me planin rregullues të qytetit të Orikumit, miratuar nga KRRTRSH-ja. "Kryetari i Bashkisë Orikum 2005-2006 ka firmosur situacione të punimeve, duke përjashtuar mbikëqyrësin e punimeve dhe inxhinierin që ka mbuluar shërbimet pranë kësaj bashkie, si dhe ka nxjerrë akte dhe ka miratuar dokumente për procedurat e prokurimet publike në kundërshtim me legjislacionin në fuqi", thuhet në raport. Ndërsa në fushën e prokurimeve, dëmi rezultoi në vlerën 4.3 milionë lekë, si pasojë e moszbatimit të ligjit nr. 7971 për prokurimin publik. KLSH zbulon abuzime edhe në Bashkinë e Korçës, ku dëmi ekonomik përllogaritet të jetë 18 milionë lekë, dhe 10 milionë janë abuzime në fushën e urbanistikës, ndërsa 8 milionë lekë në fushën e prokurimeve publike. Në Bashkinë e Mirditës, sipas KLSH, dëmi ekonomik i evidentuar është në vlerën 4 milionë lekë, nga të cilat 3.5 milionë janë në fushën e prokurimeve. Krahas shpërblimit të dëmit ekonomik të evidentuar nga personat shkaktarë përgjegjës, nga KLSH është rekomanduar marrja e masave disiplinore për 31 punonjës të këtyre bashkive.

Uzurpimi i tokave

Skandali i Kasharit, arrest për kryetarët e komunës

Zbulimi i KLSH për shkelje me pronën publike në Bashkinë e Orikumit është i ngjashëm me atë të zonës së Kasharit. Pas denoncimit për abuzime me pronat në zonën e Kasharit, KLSH përfundon raportin për tri bashkitë e tjera të vendit, ku më në qendër është ajo e Orikumit, për të cilën KLSH ka bërë edhe "kallëzim penal". Në rastin e Kasharit, hipotekat kanë vërtetuar mbivendosjen e pronave në Komunën e Kasharit, ku me firmën e ish-kryetarit të komunës prona ka kaluar në disa pronarë. Pas verifikimit, hipotekat kanë dërguar një material të zgjeruar në dyert e Prokurorisë së Tiranës, që nisi menjëherë verifikimin. Abuzimi me pronat në këtë zonë ka çuar në arrestimin nga policia të 8 zyrtarëve të lartë. Skandali i uzurpimit të tokave në këtë zonë ka çuar në pranga tre kryetarët e Komunës së Kasharit nga 2000-2007 dhe 5 të tjerë. Dëmi financiar i bërë nga të arrestuarit kap një shifër prej afro 16 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›