E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: Pragu elektoral të shkojë në 3% dhe të largohen të paaftët nga Kuvendi

Kryetari i Lidhjes Demokristiane Kombëtare, Nikoll Lesi, kërkoi që "reforma zgjedhore të synojë në ndryshime kushtetuese, ku sistemi zgjedhor të jetë proporcional rajonal". Duke mbrojtur këtë propozim, në kuadër të debateve për reformimin e kodit elektoral, Lesi u shpreh se "aplikimi i këtij sistemi do të eliminonte fenomenin e Dushkut dhe konfliktet fisnore e fizike të deritanishme në zonat elektorale. Po ashtu, ai do të pastronte Kuvendin nga elementët që hyjnë aksidentalisht në të".

Për sa i takon pragut elektoral, kryetari i LDK-së kërkoi rritjen e tij në masën 3%, dhe në çdo proces zgjedhor parlamentar ai të rritet me 0.5 për qind, derisa të arrijë nivelin e 5%. Deputeti Lesi kërkoi nga Kryeministri edhe ndryshime urgjente në qeveri, me qëllim largimin e ministrave të paaftë. "I kërkojmë Kryeministrit Sali Berisha, në cilësinë e kryetarit të mazhorancës, që Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë të organizohen nga njerëz profesionistë, të cilët të vijnë nga radhët e PD-së, pasi përgjegjësia kryesore në elektorat, në rast dështimi të dukshëm, siç edhe po vërehet, do t‘i faturohet PD-së", tha kryetari i LDK-së. Po ashtu, ai konfirmoi "mbështetje për propozimin e PD-së, lidhur me kufizimin e imunitetit të deputetit që akuzohet për korrupsion". Ndërsa aleatët e tjerë të PD-së, PDR-së, PBDNJ-së, PR-së dhe PAA-së kanë kundërshtuar rritjen e pragut. Kryetari i grupit kuvendor të PR-së, Arjan Madhi, u shpreh se Partia Republikane mbështet pragun 2.5%. Republikanët kanë dhënë shenja negociatash në lidhje me sistemin e ri të pragut, duke mos përjashtuar faktin që pragu të shkojë deri në 3%, por jo më shumë. "Çështja e pragut elektoral është kthyer si një treg frutash e perimesh në prag festash, ku çmimet ngrihen dhe ulen", tha Madhi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›