E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata i shton 18 vite burg Zani Çaushit



Tiranë - Zani Çaushi, i njohur si i forti i Çoles, do të vuajë një tjetër dënim, përveç atij të burgimit të përjetshëm, dhënë kohë më parë. Gjykata e Tiranës e shpalli dje fajtor Zani Çaushin dhe e dënoi me 18 vjet burg për veprën penale të vrasjes, rrëmbimit të personit dhe vjedhjes së mbetur në tentativë. Çaushi u shpall fajtor për vrasjen e Bernard Duçkës, Niko Borakut dhe vëllezërve Neritan dhe Edmond Dednika, si dhe për veprën penale të rrëmbimit të personit. Ai akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka rrëmbyer dhe keqtrajtuar shtetasit Artur Gjoshi, Pëllumb Petriti, Foto Kola dhe Sokol Kamberi. Bashkë me Çaushin, të akuzuar për të njëjtat vepra penale ishin edhe 4 persona të tjerë, për të cilët Gjykata dha këto vendime në mungesë; Dorian Saliu 22 vjet heqje lirie, Hair Hiraj 5 vjet heqje lirie vetëm për veprën penale të vjedhjes në tentativë, Skerdian Bajrami 5 vjet heqje lirie, kurse Renato Çerçizi u shpall i pafajshëm për një nga veprat penale që u akuzua. I forti i Çoles, i dënuar me burg të përjetshëm, ndodhet në izolim prej gati 11 vjetësh, me akuzën e përfshirjes në trazirat e vitit 1997.

Banda e Mirditës, gjykatësit do të shkojnë në Malaj
Tiranë - Kolegji i Krimeve të Rënda, që po gjykon të pandehurit të cilësuar si “banda e Mirditës”, do të zhvillojë një seancë ndryshe nga të tjerat. Gjendja shëndetësore e tre dëshmitarëve e ka detyruar kolegjin të marrë vendimin për të lënë sallat e gjyqit dhe për të shkuar drejt Malajt, për të marrë në pyetje tre dëshmitarë. Sipas vendimit të gjykatës, dëshmitarët që do të merren në pyetje në familjet e tyre janë Dile Ndoi, Donika Ndoi dhe Zef Gjoka. Në seancën e radhës, që u zhvillua, dje dëshmoi ish-shefi i Komisariatit të Rrëshenit, Osman Hustri. Prokurori e pyeti për dijeninë që kishte ai në lidhje me një grabitje që është zhvilluar në Rrëshen gjatë vitit 2000, ku mbeti i vrarë edhe polici Gjon Paçuku. Sipas Hustrit, forcat e policisë, kur kanë ndërhyrë gjatë grabitjes, nuk kishin kryer veprime profesionale, prandaj dhe kishte ndodhur plagosja. Më tej ai vijoi dëshminë e tij se informacioni mbi autorët kishte pasur vetëm për faktin se ata kishin lëvizur drejt fshatit Malaj dhe ishte identifikuar njëri prej tyre me emrin Dritan Syziu. Për detajet e tjera që u pyet nga prokurori, Hustri u përgjigj se nuk mbante mend. Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë mbi akuzat dy prej të pandehurve, Arjan Reçi dhe Tom Gjoka. Bashkë me këta të fundit të pandehur në këtë çështje janë edhe vëllezërit Dritan Ndoj Syziu, Nikoll Ndoj Syziu, Bardhok Ndoj Syziu dhe Tom Ndoj Syziu. I vetmi që po gjykohet në mungesë është Dritan Ndoj Syziu.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›