E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e jashtme e SHBA

Fatos Tarifa, PhD 

Në mendimin politik dhe në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara kanë ekzistuar ¯ dhe në periudha të ndryshme kanë dominuar ¯ shkolla të ndryshme. Nëse përdorim taksonominë kla-sike të formuluar nga Walter Russell Mead, një nga ekspertët më të njohur të politikës së jashtme amerikane në ditët tona, këto shkolla mund t’i klasifikojmë si më poshtë: (1) Neokonservativizmi (apo Intervencionizmi), shkollë kjo, e cila ka për bazë promovimin e demokracisë dhe si tipar të saj hegjemonizmin altruist amerikan; (2) Realizmi tradicional, i cili e vë theksin në përdorimin e forcës për realizimin e interesave kombëtarë dhe realizimin e objektivave të politikës së jashtme amerikane; (3) Realizmi demokratik willsonian, i cili mbështetet në rëndësinë që ka zhvillimi i demokracisë dhe balanca e fuqive të mëdha për vendosjen dhe ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në botë; (4) Internacionalizmi liberal, i cili synon transformimin e politikës së pushtetit përmes së drejtës dhe institucioneve ndërkombëtare; (5) Internacionalizmi reganian (apo Nacionalizmi xheksonian), i cili i vlerëson zhvillimet ndërkombëtare nga prizmi i ngushtë i interesave amerikane mbi bazën e parimit “mos u përplas me mua”; (6) Hamiltonianizmi, i cili i kushton rëndësi zhvillimit të tregtisë si promovues i progresit të vazhdueshëm në marrëdhëniet midis shteteve. Subjekti i kësaj eséje, sidoqoftë, ka të bëjë me një tipar të veçantë, izolacionizmin, i cili ka dominuar politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në pjesën më të madhe të historisë së saj, të cilin Mead nuk e përmend në taksonominë e tij, si edhe me rrethanat në të cilat Amerika hoqi dorë nga politika izolacioniste e saj për t’u bërë aktori kryesor në skenën e politikës globale.
Qysh nga themelimi i republikës amerikane deri në goditjen e befasishme që pësoi ajo më 7 dhjetor 1941 në Pearl Harbor nga Japonia, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një fuqi ushtarake e “mënjanuar”, apo e “izoluar” nga bota. Politika e saj ka qenë e orientuar në zhvillimin ekonomik, në zgjerimin e saj territorial në kontinentin e Amerikës Veriore dhe në ngritjen e saj si një fuqi e madhe, pa u angazhuar në aleanca me fuqi të tjera. Kjo traditë “izolacioniste” zë fill me Presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara, George Washington, i cili, në fjalimin e tij të lamtumirës më 1796, i këshillonte pasardhësit e tij “t’u qëndronin larg aleancave të përhershme me cilëndo pjesë të botës së huaj”, duke besuar se angazhimi në aleanca të tilla do të bënte që “paqja dhe prosperiteti [i Amerikës] të bëheshin pre e ambicieve, rivalitetit, interesave, humoreve apo kapriçove europiane”. George Washington vlerësonte si një politikë më të mirë dhe më realiste krijimin e “aleancave të përkohshme për emergjenca të jashtëzakonshme”, çka në fjalorin e sotëm politik quhen koalicione ad hoc të vullnetit, si koalicioni që George W. Bush krijoi për të realizuar luftën në Irak.
Kjo filozofi politike e presidentit të parë amerikan gjeti shprehjen e vet diplomatike në veprimtarinë e çdo administrate të Shteteve të Bashkuara gjatë shekullit të 19-të. John Quincy Adams, kur ishte Sekretar i Shtetit në administratën e Presidentit James Monroe (të cilin ai e zëvendësoi në krye të Shtëpisë së Bardhë, duke u bërë presidenti i gjashtë i Shteteve të Bashkuara), refuzoi një ofertë të Britanisë për një deklaratë të përbashkët anglo-amerikane kundër rikolonializimit të Botës së Re, duke u shprehur në favor të një politike neutrale, siç ishte “Doktrina Monroe”. Duke shpallur neutralitetin e Amerikës në konfliktet e ardhshme midis fuqive europiane, kjo doktrinë përfaqësonte një moment shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ajo theksonte se fuqitë europiane nuk do të mund të kolonizonin më tej territore në Amerikën e Veriut dhe të Jugut apo të ndërhynin në punët e brendshme të kombeve të Amerikave, se Shtetet e Bashkuara do të qëndronin neutrale në luftërat midis fuqive europiane dhe kolonive të tyre, por nëse luftëra të tilla do të ndodhnin në kontinentin amerikan, Amerika do t’i konsideronte ato si veprime armiqësore ndaj saj. “Doktrina Monroe” u bë kështu parimi udhëheqës i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, përmes së cilës Amerika u bë fuqi hegjemone në hemisferën perëndimore.
Gati një shekull më vonë, Presidenti Woodrow Wilson insistoi që Amerika të hynte në Luftën e Parë Botërore jo si një fuqi “aleate” me Britaninë, Francën dhe Rusinë, por si një fuqi “e asociuar” me to. Po kështu, deklaratat e Presidentit Wilson mbi politikën dhe rendin botëror të pas-Luftës, përfshirë edhe “Katërmbëdhjetë Pikat” (Forteen Points) e famshme të tij, u bënë pa u konsultuar më parë me fuqitë europiane. “Katërmbëdhjetë Pikat” u bënë më pas baza e sistemit të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare në periudhën midis dy luftërave botërore dhe origjina e Lidhjes së Kombeve, e cila u krijua në janar të vitit 1920 në bazë të vendimit që kishte marrë një vit më parë (në janar 1919) Konferenca e Paqes e mbledhur në Paris. Edhe pse Presidentit Wilson iu dha Çmimi Nobel për Paqe më 1919, SHBA nuk e ratifikoi Kartën e Lidhjes së Kombeve dhe nuk u bë asnjëherë anëtare e asaj organizate për shkak të kundërshtimit të Senatit amerikan për të marrë pjesë në të.
Sido që të quhet politika e jashtme e Amerikës nga themelimi i saj deri në vitin 1941¯izolacioniste, neutrale, apo intervencioniste¯SHBA, vazhdimisht e ka evituar krijimin e aleancave formale me fuqi të tjera. I vetmi përjashtim ka qenë Traktati i Aleancës me Francën, i nënshkruar në Paris më 6 shkurt 1778, gjatë Luftës Revolucionare në Amerikë. Sipas këtij traktati, Franca njihte dhe përkrahte pavarësinë dhe sovranitetin e Shteteve të Bashkuara; në shkëmbim, Shtetet e Bashkuara premtuan se do të ishin aleatja ushtarake e Francës nëse kjo e fundit do të hynte në luftë me Anglinë. 15 vjet më vonë, kur Franca dhe Anglia hynë në luftë me njëra-tjetrën, SHBA nuk iu përmbajt kushteve të atij traktati dhe shpalli Deklaratën e Neutralitetit, me të cilën ajo theksonte se do të mbante një qëndrim neutral në atë luftë.
Në fillim të shekullit të 20-të Amerika ishte bërë një fuqi globale dhe, si e tillë, synimi i saj ishte që t’i pengonte fuqitë e tjera të mëdha të bëheshin fuqi hegjemone në rajonet e tyre. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Europë gjatë Luftës së Parë Botërore synonte pikërisht të parandalonte Gjermaninë të bëhej një fuqi hegjemone në këtë kontinent, ashtu sikurse lufta e saj në teatrin e Pacifikut ka synuar ta parandalonte Japoninë militariste që të vendoste hegjemoninë e saj në atë rajon.
Ishte Presidenti Franklin D. Roosevelt ai, i cili, në fillim të viteve 1940-të kuptoi se Gjermania naziste dhe fuqitë e tjera të Aksit përbënin një kërcënim ekzistencial për Shtetet e Bashkuara dhe se mbrojtja e interesave kombëtare të Amerikës ishte e lidhur me mbrojtjen nga ana e Britanisë së Madhe dhe e Bashkimi Sovjetik e interesave të tyre. Duke filluar me fjalimin e tij të famshëm “On Lend-Lease” më 15 mars 1941, Presidenti Roosevelt formuloi atë ide, të cilën pas agresionit japonez në Pearl Harbor në dhjetor të atij viti, do ta quante “the Great Alliance” (Aleanca e Madhe) për mposhtjen e fuqive të Aksit. Studiuesi amerikan Thomas Donelly argumenton se ishin vetëm nevojat e Luftës së Dytë Botërore ¯ kryesisht nevoja për trupat e Ushtrisë së Kuqe dhe aftësia e saj për të përgjakur makinën ushtarake të Gjermanisë naziste ¯ato që e shtynë Presidentin Roosevelt në atë kohë të pranonte idenë e një partneriteti afatgjatë me Europën.
Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore shënoi një kthesë rrënjësore dhe një strategji të re në politikën e jashtme amerikane. Ndryshe nga roli që luajti ajo në Luftën e Parë Botërore, pas së cilës Amerika u tërhoq përsëri në “punët e saj”, hyrja e saj në Luftën e Dytë Botërore dhe triumfi i saj në këtë luftë ¯ në aleancë me fuqitë e tjera ¯ mbi Gjermaninë dhe Japoninë shënuan krijimin e një bote të re, arkitektura e sigurisë të së cilës nuk mund të mendohej atëherë, as mund të përfytyrohet sot, pa Amerikën. Shtetet e Bashkuara fituan kështu një pozitë ndërkombëtare të panjohur nga asnjë fuqi tjetër e madhe në të kaluarën dhe morën përsipër një rol, të cilin nuk mund ta luante asnjë prej fuqive të tjera të kohës dhe prej të cilit ajo nuk do të hiqte dhe nuk ka hequr dorë. Amerika u bë, më në fund, pjesë e arkitekturës politike dhe ekonomike të globit për të mbetur fuqia kryesore që garanton paqen dhe sigurinë në të. Kjo detyrë u bë, thuajse nga fillimi, më e lehtë dhe më e domosdoshme për shkak të aleancës transatlantike që ajo krijoi me aleatët e saj europianë, aleancë e cila në periudhën e Luftës së Ftohtë efektivisht e vuri Europën Perëndimore nën mbrojtjen e ombrellës amerikane nga kërcënimi i superfuqisë sovjetike.
    Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos në periudhën pas Luftës së Ftohtë, kur Amerika mbeti fuqia e vetme hegjemone e botës, politika e saj e jashtme dhe roli saj në çështjet globale morën një tjetër dimension dhe fituan një tipar të ri. Parimet e saj në mbrojtje të tregjeve të lirë, të të drejtave njerëzore dhe të demokracisë, të kombinuara këto me fuqinë ushtarake më të madhe që ka njohur historia deri më sot, bënë që Amerika, me mbështetjen e shteteve të tjerë ose edhe pa të, të ndërhynte në situata dhe vende ku askush tjetër s’mund t’u jepte fund krimeve të regjimeve diktatorialë duke u ardhur në ndihmë popujve të shtypur. Tre-katër vjet më parë, në një artikull botuar në gazetën “The Washington Times”, kam shkruar se “Amerika është i vetmi vend në botë, i cili eksporton liri”. Kurdoherë që rasti historik e ka kërkuar, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të gatshme të paguajnë çmimin më të lartë për t’u ardhur në ndihmë popujve të shtypurve, madje edhe në shtete që i kanë dashur asaj të keqen. Siç ka thënë Dean Acheson, Sekretari amerikan i Shtetit në administratën e Presidentit Truman, amerikanët janë “bij të lirisë” dhe “nuk mund të jenë të sigurt veçse në kushtet e lirisë”. Është në saje të kurajos, heroizmit dhe xhenerozitetit amerikan që vende si Franca, Gjermania apo Japonia janë sot demokraci të lira dhe vibrante. Është po në saje të Amerikës dhe politikës së jashtme të presidentëve të saj Bill Klinton dhe George W. Bush që Kosova është sot një vend i pavarur. Çlirimi i Kosovës nga NATO dhe njohja e menjëhershme e pavarësisë së saj nga Shtetet e Bashkuara janë shembuj klasikë të vendosmërisë amerikane vis-à-vis pavendosmërisë dhe paaftësisë europiane për t’iu kundërvënë despotizmit madje edhe në një prej rajoneve të saj, siç është Europa Juglindore. Amerikanët vetë janë një popull, i cili nuk ka harruar se vendi i tyre fitoi pavarësinë duke u ngritur në revoltë kundër një perandorie dhe e konsiderojnë veten e tyre si miq të popujve të shtypur kudo në botë.
Çdo administratë amerikane është motivuar në politikën e saj të jashtme nga bindja ideologjike se demokracia liberale është e vetmja formë legjitime e qeverisjes dhe se forma të tjera qeverisjeje nuk janë veçse tranzitore. Kjo ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kenë qenë dhe të jenë gjithnjë të gatshme për të “mbështetur popujt e lirë që i rezistojnë shtypjes dhe nënshtrimit” (Harry Truman), për “të paguar çdo çmim dhe përballuar çdo barrë” në mbrojtje të lirisë (John F. Kennedy), për të kërkuar “zgjerimin e demokracisë” në botë (Bill Klinton) dhe për të luftuar për t’i “dhënë fund tiranisë” (George W. Bush). Në fund të fundit, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka synuar dhe synon të ruajë stabilitetin dhe qetësinë relative të sistemit aktual ndërkombëtar duke vendosur, ruajtur dhe zgjeruar paqen dhe sigurinë kudo në botë.
Amerikanët, po të përdorim aforizmin e autorit të njohur Robert Kagan, janë “nga Marsi” dhe asnjëherë nuk kanë pranuar të jetojnë në status quo. Amerika gjithnjë ka qenë dhe mbetet një katalizator për ndryshimin e shoqërisë dhe të marrëdhënieve njerëzore. Strategjia dhe taktikat e saj kanë qenë gjithnjë “maksimaliste”, të tilla që kërkojnë dhe mundësojnë ndryshime revolucionare në shoqërinë ndërkombëtare dhe jo zgjidhje graduale të problemeve. Kjo është një ndër arsyet që politikat e ndjekura nga Uashingtoni shumë herë janë kundërshtuar, apo nuk janë përkrahur, nga aleatët e saj oportunistë europianë, të cilët janë “nga Venusi”. Dhe ndërsa Amerika vetë, siç shprehet Michael Ignatieff, profesor në Universitetin e Harvardit, është një “perandori, e cila nuk mendon për veten e saj si e tillë, ajo shpesh gjendet e shokuar nga kundërshtimi me të cilin reagojnë [europianët] ndaj qëllimeve të mira të saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›