E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet, kontrolli zbardh abuzimet në tetë spitale

 

zirina llambro

Spitalet e vendit kanë zbrazur depot e grosisteve nga ilaçet stok gati të skaduara. Janë bërë blerje medikamentesh të panevojshme, të cilat nuk u kanë ardhur në ndihmë pacientëve, por vetëm sa kanë zënë vend në magazina. Gjithashtu është abuzuar me tenderat dhe fondet e blerjes së medikamenteve. Kontrolli i nisur disa ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë ka evidentuar shkeljet e para. Grupi i auditit të këtij dikasteri nuk pranon të bëjë publik emrat e spitaleve ku është abuzuar më shumë, pasi duhet ende kohë për të dalë me konkluzione përfundimtare. Por nga verifikimet, në 8 spitale rajonale të vendit janë vërejtur edhe emërime të papabazuara profesionalisht. Ministria paralajmëron se në përfundim të procesit shkelësit do të ndiqen edhe penalisht. Aktualisht, grupi i auditit ka futur në sitë spitalin e Gramshit, Sarandës dhe Fierit. Sa i përket tenderave, ashtu siç pretendojnë edhe disa nga firmat pjesëmarrëse, kriteret për shpalljen e fituesve kanë qenë të paracaktuara, çka çonte automatikisht në shpalljen e fituesve. Madje, një pjesë e këtyre firmave janë ankuar edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik. Nuk kanë munguar prej saj edhe anulimet e tenderave. Si rasti i laboratorit me vlerë 600 milionë lekë. Ministria e Shëndetësisë zyrtarisht ka raportuar 26 milionë euro ilaçe stoqe në të gjithë spitalet e vendit. Prej tyre vetëm rreth 10% mund të përdoren. Pjesa tjetër është e skaduar. Me këtë shumë, dëmi kolosal që i shkaktohet shëndetësisë është i pallogaritshëm. Gjithsesi, ministrja Godo në mbledhjen e fundit me drejtorët e spitaleve i ka udhëzuar ata të shkëmbejnë ato ilaçe që ende mund të jenë efektive. Kjo zgjidhje po bëhet për të zgjidhur disi krizën më shumë se njëvjeçare të spitaleve. Sa i përket spitalit “Nënë Tereza” drejtuesit e tij kanë deklaruar se, furnizimi normal do të nisë në javët në vazhdim sepse tenderat janë zhvilluar dhe janë firmosur kontratat me firmat farmaceutike. Por afat të saktë nuk kanë përcaktuar. Aktualisht në këtë spital të sëmurët blejnë me paratë e tyre të gjitha medikamentet. Për fat të mirë dy ditë më parë rinisi operacionet e planifikuara pas një ndërprerje më shumë se 3 muaj. Klinikat kirurgjikale të QSU-së u furnizuan me medikamentet e narkozës dhe antibiotikët e nevojshëm.

 PDK: Po gënjehet  për stokun e ilaçeve
“Njerëzit e Gërdecit, të kthyer në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë shpërndarë nëpër media lajme të rreme të mbushura me shpifje për të ashtuquajturin ‘Skandal i branave’”. Ky është reagimi i PDK-së, për akuzat e fundit mbi abuzimet në shëndetësi gjatë periudhës kur Nard Ndoka ishte ministër Shëndetësie. “Sqarojmë se fondi i përgjithshëm për blerjen e medikamenteve për vitin 2007 ka qenë afërsisht 6 milionë euro, ndërsa për vitin 2008, ky fond është rritur në 7 milionë euro. Edhe sikur me këtë fond të ishin blerë të gjitha barna stoqe, nuk mund të krijohej një stok i tillë prej 26 milionë euro, gjatë gjashtëmbëdhjetë muajve të qeverisjes së PDK-së në Ministrinë e Shëndetësisë”, nënvizohet në deklaratën për mediat. Në të thuhet se, kur kryetari i PDK-së erdhi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, më 15 mars të vitit 2007, lista e barnave ka qenë e përfunduar nga ministri i mëparshëm dhe ministria ka bërë vetëm fazën e fundit të tenderimit në përputhje me listën e hartuar nga ministri Cikuli. “Stoku i barnave të mbetura nëpër spitale është konstatuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës që qeverisej nga PDK-ja, dhe madje është evidentuar sasia e tij në të gjithë vendin dhe hartimi i listës së re të barnave u bë pas përpunimit të të dhënave të nxjerra nga ky verifikim”, pretendon PDK. Ndërkaq sipas deklaratës, me një urdhër të ministrit, të lëshuar më datën 26. 6. 2008 me nr. protokolli 2695 është kërkuar që të auditohet sasia e stokut në spitalin “Nënë Tereza”, urdhër që është refuzuar në kundërshtim me ligjin nga drejtori i atëhershëm i spitalit, Mati Pepa, që mbështetej nga kryeministri Berisha.  Për gjendjen e barnave stok, është informuar zyrtarisht edhe kryeministri Berisha, nëpërmjet një shkrese zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›