Rama-Olldashi, “sherr” për plehrat
Përurimi i vendgrumbullimit të parë të plehrave në Sharrë përplas bashkinë dhe Ministrinë e Punëve Publike. Secili institucion pretendon të marrë meritat e projektit që i dha fund ndotjes së pamatë të ajrit e tokës. Me një fond prej 4.6 milionë eurosh përfundoi parcela e parë dhe të gjitha mbetjet urbane, para se të groposen do të përpunohen për të shmangur ndotjen e tokës dhe të ajrit nga gazrat e dëmshëm. Por ndërsa ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, bashkë me ambasadorin italian Saba D’Elia inauguruan dje investimin, i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të bashkisë Edi Rama. “Kandidati humbës i Sali Berishës në zgjedhjet për Tiranën u shfaq në fushën e Sharrës dhe bëri për llogari të kryeministrit, atë që vetë Sali Berisha po bën në tërë Shqipërinë e gjithashtu në Tiranë, duke u përpjekur ta mbushë gropën e madhe të premtimeve të tij të pambajtura me punë bashkiake e komunale, të cilave u del për zot para kamerave, me pafytyrësinë shembullore të gënjeshtarit profesionist”, tha Rama. Ai akuzoi kryeministrin se s’di të punojë por vetëm të gënjejë. “Ai rrëmbeu sot autorësinë e një pune që ka nisur në vitin 2001, me kërkesën time këmbëngulëse ndaj qeverisë italiane për të financuar rehabilitimin dhe modernizimin teknologjik të fushës së përpunimit të mbeturinave të kryeqytetit”, vijoi Rama. Nuk ka mbetur prapa as ministri Olldashi. “Në ato që zoti Rama tha, ka vetëm një të vërtetë. Eshtë e vërtetë që ky projekt mund të kishte filluar shumë kohë më përpara, duke i hequr Tiranës këtë problem të madh shumë vite përpara datës së sotme. Nuk është bërë për dy shkaqe: Për shkak të paaftësisë totale të Bashkisë së Tiranës për t’u marrë me punë të mirëfillta publike në kryeqytet”, u shpreh Olldashi në një konferencë për shtyp. Ai nënvizoi se, vendimi i qeverisë “Për miratimin në parim të marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Artigan Casa për financimin e programit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta të Tiranës” mban datën 23 nëntor 2005.