Aksidentet shkaktojnë 5 të plagosur në rrugët e Librazhdit
LIBRAZHD - Pesë persona kanë mbetur të plagosur të shtunën, si pasojë e dy aksidenteve në aksin rrugor Elbasan - Librazhd. Burime të policisë lokale thanë se aksidenti i parë ndodhi rreth orës 24:00 të natës së premte në aksin rrugor Elbasan – Librazhd në vendin e quajtur Xibrakë, kur mjeti tip “Nisan” me targa të huaja NEO 4036, që drejtohej nga shtetasi Arben Meziu, 29 vjeç, lindur e banues në fshatin Shtërmen të Elbasanit, është përplasur me mjetin tip “Benz” me targa LB 1836 A, i cili drejtohej nga shtetasi E. A., 25 vjeç, lindur e banues në fshatin Hotolisht në Librazhd. Si pasojë e këtij aksidenti, janë lënduar katër shtetas, mes të cilëve një fëmijë njëvjeçar. Të katër të lënduarit ndodhen në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit nën kujdesin e mjekëve. Të njëjtat burime thanë se aksidenti i dytë ndodhi rreth orës 02:30 të ditës së shtunë, në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur Labinot Fushë, ku 42-vjeçari Ferit Meta, që qarkullonte me një autoveturë tip “Benz”, me targa EL 58 19 B, ka aksidentuar shtetasin G. D., 37 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik nën kujdesin e mjekëve. Nga hetimet e deritanishme të policisë rezulton se të dy aksidentet kanë ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara nga drejtuesit e mjeteve, të cilët janë ndaluar dhe ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Librazhdit.
28 Prill 2008