“Pranvera 2008” kap cigare kontrabandë dhe 13 mjete të vjedhura, 3 në pranga
Të paktën tre persona janë ndaluar dhe janë sekuestruar 13 makina të vjedhura në vendet europiane, si dhe 6 mijë paketa cigare në operacionin e organizuar nga policia e Durrësit, të koduar me emrin “Pranvera 2008”. Burimet zyrtare në policinë e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se “gjatë orëve të paradites së shtunë, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Siver Reso, teksa ai po shpërndante nëpër njësi tregtare paketa pa pullë fiskale”. Sipas njoftimit zyrtar, “në kontrollin e kryer në banesën e këtij shtetasi, në Lagjen Nr. 4, u bë e mundur gjetja dhe bllokimi i një sasie prej 12 kolish cigare, me rreth 6000 copë paketa të llojeve të ndryshme”. Të gjitha ishin pa pullë fiskale. “Paketat, të cilat ishin të markave ‘Karelia’, ‘Slims’, ‘Murati’, ‘MN’, ‘Morris’, ‘Merit’ etj., u bllokuan në cilësinë e provës materiale”, - thonë burimet policore. Pas verifikimit të provave, ka procedimi penal në gjendje të lirë (për shkak të moshës) ndaj shtetasit Siver Reso, i lindur në vitin 1935 në Gjirokastër dhe banues në qytetin bregdetar. “Materialet procedurale për veprat penale të tregtimit, transportit, ruajtjes e depozitimit të mallrave kontrabandë iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - thonë burimet policore. Ndërsa mbrëmjen e së premtes u ndaluan shtetasit Besnik Frangaj dhe Gjek Malocaj. Ata janë ndaluar në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, pasi automjetet tip “Benz” ML 270, ngjyrë gri, me targa TR 4343 M dhe tip “Benz” ML 400, ngjyrë e zezë me targa SH 0160 E, përkatësisht pronë e këtyre shtetasve, të cilat nga verifikimet e kryera rezultuan të ishin vjedhur në Belgjikë dhe Itali. Në momentin e bllokimit dy automjetet drejtoheshin nga persona të tjerë. Në kuadër të operacionit ”Pranverë 2008”, arrin në 13 numri i automjeteve të bllokuara si të vjedhura, ku pjesa më e madhe e tyre janë trafikuar nga Italia.
28 Prill 2008