E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: 20 vjet burg Nehat Kullës

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në qeli edhe për 20 vjet Nehat Kullën. Togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kavajës, e cila shpalli fajtor dhe dënoi më 20 vjet heqje lirie Kullën për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Rendit, Halit Shamata. Ngjarja ka ndodhur 10 vjet më parë në autostradën Durrës-Kavajë, në afërsi të Golemit. Sipas prokurorisë, grindja kishte nisur për një gërvishtje makine.
Vendimi
Gjykata e Apelit të Durrësit ka lënë në fuqi dje vendimin e gjykatës së Faktit të Kavajës, për Nehat Kullën, e cila e dënoi atë një vit më parë me 20 vjet burg për vrasjen e Halim Gjuzit, shoferit të ish- ministrit të Rendit, Halit Shamata. Burime nga gjyqësori bëjnë të ditur se vrasja e shoferit të Shamatës, Halim Gjuzi, ka ndodhur 10 vjet më parë në autostradën Durrës-Kavajë, në afërsi të Golemit. Ndërkohë që kjo vrasje kishte mbetur e pazbardhur për vite, deri në momentin kur prokuroria vendosi të rihapë çështjen duke e zbardhur përfundimisht. Arrestimi i Kullës u bë nga forcat RENEA në vitin 2005, në banesën e tij në Tiranë.
Ngjarja
Krim i ndodhur 10 vjet më parë në Golem të Kavajës, në autostradën Durrës-Kavajë. Organi i akuzës nisi hetimit tre vjet më parë dhe nga dëshmitë dhe provat e grumbulluara në vendin e ngjarjes, rezultonte se personi që vrau ish-shoferin e Shamatës ishte Nehat Kulla. Sipas burimeve nga akuza, Nehat Kulla është arrestuar për një vrasje të ndodhur rreth orës 16:00, më 23 korrik 1998. Ngjarja ka ndodhur në autostradë në afërsi të Golemit. Referuar deklarimeve të akuzës, shtetasi Halim Gjuzi ka qenë duke udhëtuar në një automjet bashkë me familjen e tij. Dëshmitarët kanë pohuar se Halim Gjuzi është qëlluar me armë zjarri në prani të familjes së tij, ku bënin pjesë edhe dy fëmijët. Gjuzi ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Durrësit, i shoqëruar edhe nga dy miq të tij italianë. Policia në raportin e saj për ngjarjen e 10 viteve më parë ka shënuar se autori i krimit ndodhej në një “Shevrolet” me targa ushtarake shtetërore. Ai besohet se ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, ndërsa ka qëlluar me një pistoletë të mbushur që e mbante në kroskotin e automjetit të tij. Dëshmitarët i kanë treguar policisë se automjeti i personit që ka kryer vrasjen është larguar në drejtim të qytetit të Kavajës. Po sipas hetimeve, ka qenë një takim i rastësishëm i Gjuzit me të pandehurin Nehat Kulla. Sherri ka nisur për një gërvishtje makine. Më pas gjithçka ka kapërcyer kufijtë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, dyshohet se i pandehuri Nehat Kulla ka qenë tek “Shkëmbi i Kavajës” duke kaluar me makinë. Me viktimën duket se kishin edhe njohje të mëparshme. Fillimisht janë grindur me fjalë e më pas Kulla ka qëlluar mbi të me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.

Gusht 1996
Arrestohet Nehat Kulla si i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve, Gëzim dhe Besim Neziri. Që të dy këta ishin policë. Dënohet me 11 vjet burg nga Gjykata e Faktit Tiranë.

Mars 1997
Nehat Kulla largohet nga vendi i dënimit, pas trazirave të marsit të 97-ës. Gjykata e Apelit hedh poshtë dënimin, duke e quajtur vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes. Më pas përfiton amnisti.

12 shtator 1999
Arrestohet në afërsi të Elbasanit Nehat Kulla. Kulla u dënua 8 vjet për akuzat “armëmbajtje pa leje”, “falsifikim dokumentesh” dhe doli në maj të vitit 2001.

18 shtator 2001
Arrestohet Nehat Kulla, kësaj radhe për rrahjen e disa gazetarëve. Afro 9 orë pasi u lirua në maj, Kulla rreh katër reporterë, të cilët donin ta intervistonin.

23 dhjetor 2003
Lirohet Nehat Kulla. Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës lë të lirë Kullën, i cili përfiton nga sjellja e mirë. Kulla lirohet nga burgu 1 muaj e 27 ditë para se t i mbaronte dënimi.

26 maj 2005
Rreth 50 efektivë të RENEA-s dhe 200 forca policie rrethuan vendin nga Kafja e Rremës e deri te rruga që të çon për në varreza. Operacioni ka zgjatur rreth tri minuta për të arrestuar Nehat Kullën.

24 tetor 2008
Dënohet me 20 vjet burg Nehat Kulla. Kulla është dënuar për vrasjen e ish-shoferit të zv. ministrit të Arsimit, Halit Shamata, 10 vjet më parë në Kavajë. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë të Kavajës, e cila ka shpallur fajtor të pandehurin Kulla, për vrasjen e Halim Gjuzi.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›