Abuzimet, nën hetim edhe rastet e ngjashme në Vlorë dhe Durrës
Abuzimet (në përmasa të frikshme) me pronat e kanë “mbytur” prokurorinë këtë vit, pasi denoncimet dhe rastet e hetuara janë shtuar në mënyrë të habitshme. Dosja më e nxehtë e trajtuar në këtë drejtim ishte dosja “Gjiri i gjeneralit” ku bëhet fjalë për më shumë se 450 hektarë tokë shtetërore (ish-bazë ushtarake), që nëpërmjet një procesi të dyshuar si i falsifikuar i ka kaluar një familjeje të vetme, duke ia “kthyer” këtë pronë nëpërmjet një trashëgimie të pretenduar me dokumente false. Hetimi i prokurorit të çështjes është ezauruar, dhe dosja pothuajse dështoi . Kjo dosje implikoi zyrtarë shumë të lartë të AKKP-së si dhe disa biznesmenë dhe juristë që janë implikuar në këtë histori. Një sërë hetimesh (të sapofilluara) lidhen me një sipërfaqe prej 700 hektarësh, pronë në fushën e Novoselës, pranë Vlorës. Sërish precedenti i falsifikimit të dokumenteve është prezent, ndërsa dhjetëra familje kanë pretenduar zhvatjen e tokës në mënyrë të paligjshme nga një dorë e vetme që ka kryer të gjithë procedurën. Çështja sapo ka filluar, ndërsa burime nga prokuroria kanë informuar për “Albania”-n: “Të dhënat paraprake tregojnë se sërish AKKP-ja e Tiranës ka mbështetur, madje në disa raste ka iniciuar, disa procedura tërësisht të pakontrolluara dhe të paligjshme. Sipërfaqja e tokës është shumë e madhe dhe për nga mënyra dhe shpejtësia me të cilën është kryer procesi i dyshuar si antiligjor dyshohet se në të mund të jenë të implikuara interesa të fuqishme, si në rastin e “Gjirit të gjeneralit”. Por sërish nuk mund të mungonte zona e Kasharit në listën e hetimeve. Të tjera falsifikime dokumentesh dhe tjetërsime pronash janë evidentuar (përveç rasteve që kanë kaluar në gjykatë), ndërsa sërish zyrtarë lokalë dhe biznesmenë ndërtues janë evidentuar në procese falsifikimi.
12 Maj 2009