Riatdhesohet klandestini shqiptar, fshehu pasaportën në të mbathura
Londër - Një emigrant shqiptar është ndaluar në Britaninë e Madhe dhe më pas është riatdhesuar menjëherë për shkak se donte të hynte ilegalisht në këtë vend duke fshehur pasaportën në të brendshme. 35-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, tashmë ndodhet në Shqipëri. Lajmi u dha nga mediat britanike, por ngjarja ka ndodhur me 27 prill dhe shqiptari u dëbuar brenda 24 orëve. Ai ne fakt kishte mbërritur ne Britani nga Frankfurti, Gjermani. Fillimisht ai u mundua tu shmangej oficereve te kontrollit kufitar ne britanik duke u treguar atyre një pasaportë gruaje. Por, kur u kap, dhe u vu re se në foto ishte një grua dhe jo ai, atëherë u tha autoriteteve se duhej të takohej me një kushëri në Birmingam. Por autoritetet i kërkuan adresën e saktë të të afërmit të tij dhe ai nuk mund të jepte informacionin e duhur për këtë. Fillimisht autoritetet menduan se bëhej fjalë për një europian që vinte nga Gjermania. Më pas oficerët e policisë u shokuan kur 35-vjeçari futi dorën në të mbathura dhe nxori prej andej pasaportën, me identitetin e tij të vërtetë. Më pas shqiptari e pranoi se po hynte në Britani ilegalisht që të gjente një punë aty. Zyrtarët e kontrollit kufitar në Britani argumentuan se verifikimi i dokumenteve të identifikimit është një punë rutinë pasi bëhet për të parë në rast se ato janë të vjedhura apo false, por rasti i shqiptarit ishte i veçantë. Më pas u verifikua dhe pasaporta e tij e parë që tregoi, e cila ishte false pasi ishin ndërruar emri, imazhi dhe detajet e vizës. 35-vjeçari kishte paguar 8000 euro për atë pasaporte false.
Rikthehet me vonesë në burg, fillon procedimi penal për të dënuarin
Tiranë – Vizita në banesën e një të afërmi në Durrës, ka vonuar një të burgosur të kthehej në qeli duke i kushtuar atij procedimin penal. Më anë të një deklarate lëshuar dje, Drejtoria e Përgjithshme ka bërë të ditur se ndaj të dënuarit Bledar Lika ka nisur procedimi penal pasi theu rregulloren e vuajtjes së dënimit.
I dënuari
Bledar Lika 33 vjeç lindur në Berat, është dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Nga dënimi i kanë mbetur edhe 1 vit e 7 muaj burgim, por më datë 5 maj të këtij viti nga drejtoria e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal Rrogozhinë, bazuar në ligjin 8328 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve”, me kërkesë të dënuarit për arsye të sëmundjes së babait të tij, mbas verifikimeve të bëra për vërtetësinë e sëmundjes dhe vlerësimit pozitiv të marrë nga punonjësit social dhe juridik, u vendos dhënia e lejes për të dënuarin Bledar Lika.
Leja
“Pas mbarimit të afatit të lejes së dhënë dhe mos paraqitjen e të dënuarit në institucion, u njoftuan Autoritetet Përkatëse Policore, Pikat Kufitare si dhe Prokuroria e Rrethit. Bazuar në deklaratën personale dhe informacioneve të marra nga institucioni, i dënuari Lika kishte tejkaluar orarin e kthimit në institucion, pasi kishte shkuar për vizitë te një i afërm në Durrës” thuhej në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këto kushte Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka nisur procedimin penal ndaj të dënuarit, për thyerje të rregullores së vendit të vuajtjes së dënimit.
Rasti
Elbasan, tenton të vrasë me armë dy adoleshentë, shpallet në kërkim nga policia
Elbasan – Një sherr banal për pak u ka kushtuar jetën dy adoleshentëve të cilët u qëlluan me armë nga kundërshtari i tyre.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së hënës në Elbasan kur një persona me iniciale Sh. Q., ka nisur një sherr të çastit me dy 16-vjeçarë me iniciale E. S., dhe B. M. Pas fjalëve të ndërsjella Sh. Q., ka qëlluar me armë në drejtim të dy adoleshentëve. Efektivat e policisë së Elbasanit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat dhe autorët e plagosjes së dyfishtë. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para u bë e mundur identifikimi i autorit ndërsa dy të plagosurit u transportuan në spitalin kirurgjik të Elbasanit dhe ndodhej jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë autori ka qëlluar në drejtim të dy adoleshentëve me një armë të cilën e posedonte me lejë. Ndërkohë që ai është shpallur në kërkim për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”.
Tentuan kalim ilegal të kufirit, pranga organizatorit dhe në kërkim bashkëpunëtori
Elbasan – Transportonte klandestinë drejt kufirit Grek, arrestohet një 46-vjeçar ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij. Burime nga policia e Elbasanit bënë të ditur se një 46- vjeçar u arrestua dy ditë më parë ndërsa u shpall në kërkim policor bashkëpunëtori i tij, pasi të dy akuzohen për veprën penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. I arrestuari me iniciale A. P., po tentonte të transportonte me automjetin e tij tip “Ford” me targa EL 7102 A, disa persona me destinacion rrethin e Korçës, që donin të kalonin ilegalisht kufirin Grek. Burimet nga policia shtuan se shtetasit që ndodheshin në automjet, i kishin paguar 40-vjeçarit Ardian Presheva, që është shpallur në kërkim policor, 650 euro secili. Pas mbledhjes së eurove, ai i ka nisur klandestinët drejt Korçës me të arrestuarin, 46-vjeçarin A. P. Strukturat e seksionit kundër trafiqeve të paligjshme po punojnë intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e 40-vjeçarit Presheva.
12 Maj 2009