E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bazat ushtarake, prokuroria “ngec” me hetimin në bazën e Gjadrit



Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar disa javë më parë, në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, të gjitha dokumentet që lidhen me abuzimet që kanë ndodhur në “kthimin” e tokave në disa baza ushtarake. Bëhet fjalë për 15 hektarë tokë që gjendet pranë zonës së Gjadrit (ku është dhe aeroporti ushtarak) si dhe për 25 hektarë tokë që është përreth Portit të Shëngjinit. Ky informacion është konfirmuar nga burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Tiranës të cilët shtuan se ,“ky sekuestrim është në kuadër të hetimit të disa rasteve problematike me trojet shtetërore në zona ku më parë kanë qenë baza ushtarake”. Mësohet se informacioni fillestar për kalimin e dyshimtë në pronësi private të këtyre trojeve prokurorisë i ka ardhur nga institucione shtetërore të specializuara. Prej disa javësh, prokuroria ka nisur hetimin ndërsa deri tani janë evidentuar vetëm “peshqit e vegjël” që lidhen me këtë histori. Burime nga organi i akuzës janë treguar shumë të rezervuar në dhënien e detajeve lidhur me këtë hetim, ndërsa “Albania” ka mundur të mësojë se hetuesit kanë të dhëna të mbledhura në rrugë operative se pas personave të implikuar në kthimin e paligjshëm të këtyre trojeve mund të fshihen disa biznese të fuqishme ruse. “Skema e funksionimit në këtë kalim të paligjshëm pronësie është klasike. Këto troje, që së bashku shkojnë te 35 hektarë, janë pronë e pastër publike. Persona të interesuar kanë kryer procedura dhe kanë bërë një zinxhir falsifikimesh në disa institucione për të pretenduar pronësinë mbi tokën, e ç’është më e çuditshmja në një kohë rekord kjo pronësi u është njohur menjëherë atyre. Kërkesa për kthim të kësaj prone të pretenduar me dokumente false është bërë në fillim të vitit 2008, ndërsa në muajin gusht gjithçka ishte gati që këta persona ta kalonin në pronësi”, - janë shprehur burime të mirinformuara për çështjen brenda Prokurorisë së Tiranës.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›