Akademia e Arteve hap sot dyert për informimin e maturantëve
Akademia e Arteve në kryeqytet hap sot dyert për këshillimin e maturantëve, që duan të vijojnë studimet pranë saj. Në kuadër të programit “Ditët e Hapura në Universitete”, si pjesë e procesit të këshillimit të karrierës, drejtuesit e Arteve njoftojnë se më datat 12, 13, 14 maj 2009, në të tre fakultetet e Akademisë, do të realizohet informimi i maturantëve për studimet në secilën degë. Pedagogët që janë caktuar për realizimin e kësaj veprimtarie sipas tre fakulteteve janë: Fakulteti i Muzikës, Prof.asoc. Petrika Afezolli; Fakulteti i Artit Skenik, Prof. Asoc. Ilir Martini; Fakulteti i Arteve të Bukura, Prof. Fatmir Miziri. Synimi i këtij aktiviteti është njoha e të rinjve me specifikat e studimit që ka çdo degë e Akademisë së Arteve, në mënyrë që maturantët të tregohen tepër të kujdesshëm në procedurat e mëtejshme të pranimeve në universitete.
Kriteret
Kandidatët për studentë në Akademinë e Arteve, përveç provimit me shkrim si pjesë e konkursit, do të testohen edhe në praktikë për talentin që ata kanë. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve. Ashtu siç është përcaktuar edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2009-2010.
Kuotat
Akademia e Arteve do të propozojë më shumë kuota pranimi, për vitin e ri akademik 2009-2010. Një vit më parë, në 25 degët e kësaj akademie, u pranuan mbi 200 studentë të rinj. Por, sipas rektorit të Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, numri i pranimeve të reja të studentëve, këtë vit, pritet të jetë më i madh se ai i vitit të shkuar. Ndërsa përsa i përket tarifave të studimit, që duhet të paguajnë studentët e vitit të parë, që do të shpallen fitues në një nga degët e Akademisë së Arteve, rektori Malaj ka pohuar se nuk do të propozojë rritje të tyre. Por, megjithëse drejtuesit e Arteve deklarojnë jo rritje të tarifave, Petrit Malaj sqaron se do të jetë qeveria ajo që do të miratojë përfundimisht tarifat e shkollimit për vitin e ri akademik. Vitin e kaluar, tarifa e studimit në programin e studimit “Regji Filmi” ishte 80 mijë lekë, ndërsa në të gjitha programet e tjera të studimit të Akademisë së Arteve 30 mijë lekë.
12 Maj 2009