E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit dhe Policia Italiane plan veprimi për luftën kundër krimit të organizuar



Tiranë - Me rastin e përvjetori të krijimit të Policisë Italiane, delegacion i Ministrisë së Brendshme i përbërë nga Zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dhe këshilltari i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Drejtues Edmond Rizaj zhvilluan një vizitë tre ditore në shtetin fqinj. Në datën 8 Maj, pas ceremonisë së Festës së Policisë Italiane, u zhvillua takimi i delegacionit të Policisë Italiane kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Prefekti Antonio Manganelli me stafin e tij dhe i delegacionit të Policisë Shqiptare i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi. Në këtë takim u firmos plani i veprimit mes Policisë Italiane dhe Policisë Shqiptare, në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar, prostitucionit, trafikut të armëve dhe trafiqeve të tjera te paligjshme. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u takua edhe me drejtuesit e Policive të Ballkanit, si me atë të Maqedonisë, Rumanisë, Malit të Zi dhe të Serbisë. Takimet e zhvilluara ishin mjaft miqësorë. Më datë 9 maj, Delegacioni Shqiptar, zhvilloi një takim me Komandantin e ROS-it, Gjeneral Ganzer, ku u bisedua në lidhje me raportet e bashkëpunimit dhe mundësinë e krijimit të grupeve të përbashkëta të hetimit. Gjenerali Ganzer, shprehu gatishmërinë e për të rritur bashkëpunimin dhe ngritjen e grupeve të përbashkëta ndaj luftës kundër krimit të organizuar, e konkretisht ndaj trafikut të lëndëve narkotike.

Mbytet tek Hidrocentrali i Vaut të Dejës një grua 41-vjeçare

Shkodër – Fund tragjik për një grua 41-vjeçare në Shkodër, e cila në rrethana ende të paqarta ka gjetur vdekjen në ujërat e liqenit të Hidrocentralit Vaut të Dejës. Burime policore informuan se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në orën 20:00, në vendin e quajtur “Gegaj”, komuna Shllak, Shkodër. Viktima është Dila Zhuri, 41 vjeç, lindur në fshatin “Mazrek”, Komuna Guri i Zi dhe banuese në fshatin Gegaj, Komuna Shllak. Gruaja 41-vjeçare është gjendur në ujërat e liqenit të Hidrocentralit Vau-Dejës, ku nga hetimet dyshohet se është vetëmbytur. Familja dëshmoi se e ndjera ka vuajtur nga depresioni nervor kurse evidentoi dhe faktin se ka tentuar dhe herë të tjera t’i japë fund jetës.

Vdes nga korrenti fëmija 10-vjeçar, ngjarja pas një incidenti

Shkodër – Fëmija vetëm dhjetë vjeçar ka gjetur vdekjen në mënyrë të dhimbshme në Shkodër pasi preku telat e korrentit në pakujdesi e sipër. Ngjarja ndodhi dje në orën 11.30 në vendin e quajtur “Melgushe” në komunën Bushat të Shkodrës, pak metra larg banesës së 10-vjeçarit Denis Sh. I vogli ka gjetur vdekjen, si pasojë e kontaktit me një kabull përcjellës të energjisë elektrike. Hetuesit sqaruan se ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së tij, në momentin kur fëmija është mbështetur me dorë mbi kabull.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›