E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimet, prokuroria heton “injorimin” që Hipoteka i bën Përmbarimit

Fluks denoncimesh në prokurorinë e Tianës për hipotekat dhe krerët e tyre. Në Tiranë dhe Durrës hipotekat pengojnë përmbarimin të kryejë detyrën

Habjon Hasani

Tiranë - Një “bum” denoncimesh kanë ardhur pranë Njësisë së Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, në drejtim të hipotekës së Tiranës dhe asaj të Durrësit. Bëhet fjalë për injorimin dhe pengesat që institucionet e hipotekave i kanë bërë institucionit të Përmbarimit lidhur me konkretizimin e vendimeve gjyqësore. Kryesisht bëhet fjalë për vendime gjyqësore të cilat kanë urdhëruar përmbarimin që të mundësojë marrjen e certifikatave të pronësisë për dhjetëra shtetas që kanë troje në Tiranë dhe Durrës, por që në tentativë të përmbarimit për të zbatuar vendimet gjyqësore hipotekat kanë refuzuar dhënien e certifikatave duke shkelur në mënyrë arbitrare ligjin. Është paksa e çuditshme se si dy institucione(përmbarimi dhe hipotekat) që janë pjesë e së njëjtës ministri të kenë të tilla mosmarrëveshje, megjithatë i sigurt është fakti se tashmë në lojë ka hyrë organi i akuzës i cili po “filtron” të gjitha të dhënat, madje në “filtër” po kalojnë dhe krerët më të lartë të hipotekave në Tiranë dhe Durrës.
Pronat
Një tjetër çështje e rëndësishme që ka lidhje me pronat në vëmendje të Task Forcës së Kryeqytetit ka lidhje me disa abuzime në komunën e Dajtit. Që prej fillimit të janarit, departamenti i Task Forcës ka nisur procedimin hetimor mbi një dosje voluminoze të abuzimit të pronave në Dajt, dosje që ka ardhur në fund të muajit dhjetor si një denoncim i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur madje edhe paralizimin e çdo vendimi apo procedure administrative mbi këto troje, ndërsa një veprim i tillë duket paksa ”radikal” në kushtet kur është Prokuroria ajo që ndërmerr masa të tilla. Megjithatë, duket se shkeljet e kapura nga ekspertët e KLSH-së kanë qenë aq flagrante, sa kjo e fundit është detyruar të ndërmarrë një masë që i tejkalon disi kompetencat e saj. Të njëjtin mendim kanë dhe prokurorët e çështjes, të cilët nga verifikimi dhe hetimi paraprak i javëve të fundit kanë zbuluar se kjo dosje e KLSH-së fsheh një histori të rëndë abuzimi dhe falsifikimi për qindra hektarë tokë në një komunë si ajo e Dajtit, ku dhe çmimet e trojeve janë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Nën hetim janë disa drejtues të kësaj komune dhe regjistrues vendorë, ndërsa burime nga organi i akuzës refuzuan të jepnin detaje të tjera lidhur me personat e implikuar.
Kontrolli
Gjatë vitit 2008, KLSH-ja ka dërguar në prokurori mbi 20 praktika vetëm nga ZRPP-ja Tiranë dhe mbi 60 praktika nga të gjitha ZRPP-të vendore. Ndërkaq, punonjësit e përmendur nga KLSH-ja janë shkarkuar nga puna përpara se KLSH-ja të ushtronte kontrollin, ndërsa në total numri i personave të larguar nga puna për shkak të shkeljeve ligjore është shumë herë më i madh. Sipas njoftimit të ZQRPP-së, KLSH-ja ka vërejtur shkelje që kanë të bëjnë me mbivendosjen e pasurive, ndërsa është ZQRPP-ja ajo që ka zbuluar këtë fenomen dhe ka propozuar draftin ligjor, i cili tashmë është ligj, për të normuar këtë proces. Aktualisht, me dhjetëra kërkesa të qytetarëve për fshirjen e mbivendosjeve janë në përpunim e sipër, ndërsa dhjetëra qytetarë të tjerë tashmë kanë marrë përgjigje. Zyra e hipotekave nënvizon se është zbuluar fenomeni i regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi me anë të dublikatit dhe të gjitha këto regjistrime janë pezulluar, ndërsa është lëshuar urdhër nga kryeregjistruesi që të mos regjistrohet asnjë akt i marrjes së tokës në pronësi pa pasur konfirmimin nga Qarku.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›