Pas ujit shtrenjtohet dhe buka, rekordi shënohet në Durrës me 100 lekë
Prodhuesit e bukës kanë treguar edhe një herë se janë tepër të vëmendshëm për të përfituar nga kriza. Pa u bërë akoma realitet rritja e çmimit të grurit në bursat ndërkombëtare, mielli i magazinuar prej muajsh në magazinat dhe bodrumet e prodhuesve të bukës u shtrenjtua vetvetiu. Kështu që në fundjavën që lamë pas çmimi i rritur i ushqimit më jetik për shqiptarët pësoi rritje të papritur, sa la me gojë hapur jo vetëm konsumatorët të cilëve ju desh të shtonin nga 10-30 lekë për të blerë të njëjtën bukë, por edhe autoritet shtetërore që deri tani nuk kanë reaguar. Rekordi arriti ditën e dielë në qytetin e Durrësit, ku në zonën e plazhit një bukë masive që luhatet nga 750-900 gram, u shit për 100 lekë duke përfituar edhe nga shtrenjtimi i të gjitha çmimeve gjatë sezonit turistik. Ndërsa në qytet e tjera të vendit, përfshi edhe Tiranën, një bukë masive ka pësuar rritje me të paktën 10 lekë, në një kohë që gramatura nuk dihet asnjëherë. Por në qytet kryesore të vendit, si në Tiranë e Durrës, konsumatorët vidhen dyfish, pasi përveç çmimit të rritur të bukës, ata nuk e mësojnë asnjëherë gramaturën e saktë të mallit që blejnë. Kjo në fakt ka mbetur diçka e paqartë, pasi ligji i cili e njeh bukën masive të grurit (të bardhë ose të zezë, me/pa feta) si një prej artikujve të shportës, e përcakton atë si 1 kg. Ndërkohë prodhuesit dhe tregtuesit e bukës thonë se ajo është 800 gram, duke u nisur edhe nga pretendimet e shoqatave të tyre. Por në shumë qytete të vogla dhe zona rurale, prodhuesit dhe tregtuesit e bukës nuk guxojnë të tallen me ushqimin e të varfërve, duke e mbajtur me rigorozitet peshën në 1000 gram, pavarësisht çmimit që mund të ndryshojë në varësi të lëndës së parë.
Rritja
Kanë qenë prodhuesit dhe tregtuesit e bukës që disa ditë më parë duke përfituar nga nisja e pushimeve të administratës shtetërore, por dhe pas situatës në Rusi, paralajmëruan rritjen e radhës së çmimit të bukës. Ata e justifikuan këtë rritje që ndodhi tashmë, për shkak të rritjes së shpejtë që sipas tyre po pësonte çmimi i miellit. Sipas tyre një kuintal miell, para një jave u ble me 4 mijë e 200 lekë, ndërkohë që dje ai kushtonte 5 mijë e 200 lekë, duke pësuar një rritje të menjëhershme prej 1 mijë lekësh. Pronarët e furrave të bukës janë në pritje të rritjes që do të pësojë çmimi për një kuintal miell, pasi burime të pakonfirmuara thanë se ditën e hënë një kv miell do të shitej me 6 mijë lekë. Ata nuk japin ende çmimin se sa do të shitet një bukë e zakonshme 700-800 gramshe javën që vjen, kur aktualisht ajo kushton 60 lekë. Lëkundjet në tregun ndërkombëtar filluan menjëherë pas vendimit të qeverisë ruse për të bllokuar eksportin e grurit si pasojë e thatësirës dhe djegies së fushave të tëra me grurë nga zjarret, që kanë përfshirë këtë vend prej disa ditësh.
Tregu vendas
Edhe pse është rritur me 80 për qind brenda një muaji, të dhënat tregojnë se çmimi i miellit në tregun ndërkombëtar është sërish gati dy herë më i ulët se sa në krizën e viteve 2007-2008. Dy vjet me parë çmimi i miellit në tregun ndërkombëtar ceku rekordin e mbi 350 dollarëve për ton, nga 200 që është aktualisht. Në atë kohë çmimi i bukës në tregun e brendshëm arriti në 80 lekë. Por pas krizës së vitit 2008, çmimet e ushqimeve në botë ranë në mënyrë drastike për shkak të krizës, ndërsa konsumatorët shqiptarë nuk përfituan nga ajo. Edhe këtë herë tregu shqiptar nxiton të paralajmërojë rritje të çmimeve, kostoja e të cilëve bie gjithmonë mbi konsumatorët, e sidomos ata me të ardhura më të ulëta. Por nëse çmimi i bukës në tregun vendas do kishte ndjekur në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimin e miellit në tregun ndërkombëtar, atëherë rënia e çmimit duhet të kishte qenë shumë më e fortë se sa ajo që ndodhi. Dyshimet se tregu i drithërave në Shqipëri, është i komanduar në të kaluarën janë provuar edhe zyrtarisht. Një vit më parë Autoriteti i Konkurrencës provoi se dy kompanitë më të mëdha të miellit në Shqipëri kishin marrëveshje të fshehtë, duke rritur artificialisht çmimet, që sot kërcënohen të rriten sërish.
Shporta e ushqimeve
Produktet kryesore, që po ndikojnë aktualisht në rritjen e shpenzimeve kryesore të familjeve, janë ato që nuk mund të mungojnë në tavolinat shqiptare. Ato kanë pësuar rritjen më të madhe të çmimeve. Çmimi i bukës deri tani raportohej në rënie, pas një rritjeje gjatë vitit 2008, por, krahasuar me tre vite më parë, e paguajmë më shtrenjtë atë (gati 20% më shumë). Edhe çmimi i vajit vegjetal pësoi një rënie krahasuar me vitin 2008, por vazhdon të kushtojë më shtrenjtë krahasuar me vitin 2007. Një peshë më të madhe në shpenzimet e një familjeje me të ardhura mesatare po zënë aktualisht mishi, cigaret, buka dhe vaji i ullirit. Çmimi i mishit në treg ka vazhduar të rritet në mënyrë graduale këto dy vitet e fundit, duke arritur në 850 lekë/kg (mish viçi), nga 650 lekë/kg që kushtonte në fillim të vitit 2008. Pesha e tij në shpenzimet bazë është rritur 6% krahasuar me dy vite më parë. Një vëzhgim, i bërë gjatë muajit shkurt të këtij viti, nxori si rezultat faktin se një grup produktesh bazë konsumi, të parashikuara edhe në shportën e INSTAT-it peshonin 4.75% më shumë në buxhetin e familjes krahasuar me dy vite më parë.
10 Gusht 2010