Abuzimi me energjinë, ndalohen edhe dy elektricistë
FIER – Kësaj radhe janë vënë përpara ligjit për abuzim me energjinë elektrike jo konsumatorët, por vetë punonjësit e Korporatës Energjetike. Policia e Fierit ndaloi mbrëmjen e së martës një grup abuzuesish të energjisë, ku dy prej tyre janë punonjës të filialit të KESH-it në Fier. Burimet sqarojnë se Zani Hajro dhe Agim Ndreko, elektricistë pranë njësisë elektrike në Fier, janë ndaluar pasi janë kapur në flagrancë duke ndryshuar numrat në aparatet matës të familjarëve Malaj e Golloshi. Ata, në bashkëpunim me konsumatorët, falsifikonin sasinë e energjisë së konsumuar në matës, duke konsumuar kështu veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. Mbrëmjen e së martës tre shtetas u ndaluan dhe një i katërt do të hetohet në gjendje të lirë, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur energji elektrike, nëpërmjet falsifikimit të sasisë së energjisë në matës. Burimet zyrtare të policisë thanë se Zani Hajro, 51 vjeç dhe Agim Ndreko, 52 vjeç, me detyrë elektricistë në filialin e KESH-it në Fier, janë ndaluar rreth orës 22:00 të ditës së martë me akuzën e “vjedhjes me shpërdorim detyre në bashkëpunim“. Po ashtu, 55-vjeçari Pajtim Malaj është ndaluar për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”, ndërsa 38-vjeçari Alfred Golloshi do të hetohet në gjendje të lirë po për këtë vepër penale. Po sipas burimeve policore, mësohet se sasia e falsifikuar për këta 2 konsumatorë është në vlerën e 5000 kv. Materialet i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.
5 Mars 2008