Ish-emigrantët, kur mund të përfitojnë ndihmë financiare nga Bashkia
Të gjitha dokumentet për përfitimin dhe procedurat që duhet të ndjekin. Regjistrimi i kandidatëve i vlefshëm deri më 30 prill 2008
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ndihmon financiarisht ish-emigrantët për hapjen e bizneseve në Shqipëri. Të riatdhesuarit tashmë kanë ndihmën e autoriteteve për të investuar në formën që dëshirojnë, por me një ndihmë financiare të limituar. Shuma maksimale që jep Bashkia është deri në shumën 10 mijë euro për projektet novatore. Përfitues të kësaj shume bëhen të gjithë biznesmenët që duan të investojnë në fushën e bujqësisë, blegtorisë, artizanatit etj. projekti ”WARM”, (Welcome Again: Reinsertion of Migrants), është financim i Bashkimit Europian në kuadër të programit “Aeneas”, qëllimi i të cilit është riintegrimi social, ekonomik i të riatdhesuarve në Shqipëri, rifutjen e tyre në tregun e punës dhe krijimin e ndërmarrjeve të vogla. Numri i atyre që përfitojnë nga ky projekt është deri në 20 vetëm në një fazë. Pasi deri tani janë realizuar tri faza të regjistrimit dhe përfitues janë të gjithë ish-emigrantët në të gjitha rrethet e vendit, të cilët dorëzojnë dokumentet përkatëse.
Përfituesit
Për projektet novatore vlera do të jetë maksimumi 10 mijë euro. Ndërsa për projekte të veçanta është përcaktuar si ndihmë financiare nga 7 mijë euro deri në 10 mijë euro. Bashkia bën të ditur se regjistrimi i kandidatëve është i vlefshëm deri në 30 prill 2008 dhe kontributet do të jepen deri në përfundimin e fondit. Përfituesit e kësaj shpalljeje janë: ndërmarrjet e reja që do të krijohen, të cilat duhet të veprojnë në territorin shqiptar dhe duhet të marrin formën e ndërmarrjeve fizike; ndërmarrjeve juridike, ndërmarrjet e krijuara prej jo më shumë se 18 muajsh, të cilat e kanë qendrën ligjore dhe operative në Shqipëri. Nuk mund të përfitojnë kontribute personat dhe ndërmarrjet të cilat kanë procese falimentimi apo procedura në vazhdim, si dhe ato që kanë përfituar më parë kontribute apo lehtësi nga fonde publike. Të gjithë ish-emigrantët janë të lirë të vendosin për çfarëdolloj biznesi që dëshirojnë dhe njëkohësisht, të japin informacion për të.
Shpenzimet e pranueshme
Kontributi do të jepet për shpenzimet që kanë të bëjnë me blerjen e të mirave materiale dhe jo-materiale për përdorim shumëvjeçar, të lidhura drejtpërdrejt me ciklin e ndërmarrjeve, të reja apo edhe të përdorura. Por të gjitha të blihen në disa pika shpërndarjeje të autorizuara, të cilat janë të detyruara të ofrojnë garancinë e funksionimit të përshtatshëm të këtyre materialeve dhe që këto materiale nuk kanë qenë objekt i fondeve të mëparshme publike.
Kërkesa
Kërkesa për pranimin e kontributit duhet të shkruhet, pa përjashtim, duke përdorur modulin e parashikuar posaçërisht për këtë procedurë, së cilës duhet t’i bashkëngjitet fotokopja e një dokumenti të vlefshëm identifikimi dhe deklaratat e kërkuara, si edhe duhet dorëzuar në një zarf të mbyllur me koordinatat e dërguesit (emri, mbiemri, adresa). Po kështu, zarfi duhet të ketë edhe një mbishkrimin ku të shkruhet: Projekti WARM – Shpallja II Publike për “Kontribute në mbështetje të krijimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve”. Aplikantët duhet ta dorëzojnë zarfin brenda datës dhe jo më vonë se 30 prilli 2008, dhe mundet të dorëzohet dorazi pranë zyrave të Caritasit Shqiptar, në adresat përkatëse të qytetit të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Kukësit etj.
Komisioni do të drejtohet nga anëtari i Komunës së Romës
Komisioni i Vlerësimit do të shprehë një mendim të detyruar që do të shërbejë për marrjen e vendimit brenda gjashtëdhjetë ditëve nga data e mbylljes së shpalljes publike. Caritasi Shqiptar, pasi merr mendimin e Komisionit të Vlerësimit, komunikon rezultatin brenda 15 ditëve nga momenti i marrjes së mendimit nga Komisioni i Vlerësimit dhe publikon klasifikimin pranë zyrave dhe siteve internet që i referohen këtij projekti. Ndër kriteret e vlerësimit një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes ndaj mjedisit, pra respektimit të mjedisit, kursimit të ujit dhe energjisë. Do të quhen të përshtatshëm projektet që do të grumbullojnë të paktën 60/100 pikë. Klasifikimi do të publikohet pranë Caritasit Shqiptar, duke iu komunikuar zyrave përkatëse të projektit në Shqipëri. Në rastet e një barazie të pikëve, klasifikimi do të bëhet sipas kronologjisë së marrjes së projekteve (datës dhe orë së protokollit).
Box
Detyrat e përfituesit
Përfituesi i kontributit ka detyrë të:
Të prezantojë pranë Caritasit Shqiptar aktin e pranimit nëpërmjet një deklarate, brenda 15 ditëve nga data e komunikimit të pranimit të projektit për kontributet;
Të formojë brenda 30 ditëve ndërmarrjen fizike apo juridike të përzgjedhur (vetëm për personat);
Të lidhë kontratën brenda dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e dorëzimit të aktit të pranimit;
Box
Në veçanti janë të pranueshme këto tipologji investimesh:
Blerje e impianteve specifike, makineri dhe vegla, duke përfshirë mobilimin;
Vepra murature dhe të ngjashme, përfshirë dhe ato për përshtatjen funksionale të pasurisë së paluajtshme për ristrukturimin e ambienteve për qëllimin e projekt biznesit, në kufirin 30% të shumës totale të investimeve të pranueshme;
Automjete (vetëm nëse janë të lidhura me ciklin prodhues) në kufirin e 30% të shumës totale të investimeve të pranuara;
Blerje patentash, krijimi i sistemit të cilësisë, certifikim i cilësisë, kërkime dhe zhvillim, realizim i sitit WEB;
Sisteme informative të integruara për automatizimin, blerjen e software-ve për nevojat prodhuese dhe administrative të ndërmarrjes;
Investime të tilla, të cilat bëjnë të mundur që ndërmarrja të veprojë sipas të gjitha normave të sigurisë në vendet e punës, të ambientit dhe të konsumatorit;
Investime specifike të cilat përdoren për pastrimin/përpunimin e plehrave (mbeturinave) dhe për reduktimin e konsumit të energjisë apo të burimeve hidrike;
Reklamë (tabela, kartëvizita, fletë-palosje etj.) në kufirin 5% të shumës së investimeve të pranuara.
5 Mars 2008