Kredi me interes të ulët për gratë që të hapin biznese të vogla
Hapat që do të ndiqen nga shteti për integrimin e femrave në tregun e punës. Inspektorati i Punës: “Sektori informal, më i pasigurt për punësim“
Jonida Tashi
Gratë në vendin tonë këtë vit do të kenë një mundësi më shumë për t’u punësuar. Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) ka përcaktuar hapat që do të ndiqen për integrimin e tyre në tregun e punës. Përveç të tjerave, një nga këto hapa do të jetë edhe aplikimi i kredive me interes të ulët për ngritjen e bizneseve të vogla dhe për punësim. Ndërkohë që grupet e interesuara do t’i nënshtrohen edhe disa kurseve trajnuese për hapjen e një aktiviteti ekonomik. Aktualisht, gratë shqiptare në tregun e punës i ndesh të punësuara në sektorin formal dhe informal të ekonomisë së vendit. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, si dhe duke marrë shkas nga prioriteti që po i jepet gjithmonë e më shumë rolit të gruas në vendimmarrje e në veçanti në tregun e punës, Inspektorati Shtetëror i Punës organizoi një tryezë të rrumbullaktë me temë: “E drejta e gruas në tregun e punës”. Në këtë takim kanë qenë të pranishme dhe disa OJQ, të cilat do të jenë aleatet për përmirësimin e situatës së punësimit të femrave. Inspektori i Përgjithshëm i ISHP-së, Thoma Miço, gjatë fjalës së tij në këtë takim ka pohuar se Inspektorati Shtetëror i Punës, si institucion i rëndësishëm që operon në tregun e punës, e sheh të domosdoshëm trajtimin e integrimit të gruas në ekonominë e tregut, sepse ajo përbën gjysmën e popullsisë. Një tregues interesant i femrave të punësuara është mosha e tyre e re, e cila varion nga 16 vjeç deri në 30. Interesi i punëdhënësve për këtë kategori shpjegohet me një shkathtësi më të madhe në punimin me materialin dhe ambientim më i shpejtë me vendin dhe mjetet e punës. Për këtë, Thoma Miço pohoi: “Në kushtet aktuale të lëvizjeve të mëdha demografike, një nga format e zbutjes së tregut informal të punës është dhe aplikimi i projekteve të programeve të punësimit dhe kryesisht atyre të formimit nëpërmjet punësimit”.
Tregu i punës
Në Shqipëri, në kuadrin e aktivitetit ekonomik, gratë i ndesh në sektorin formal dhe informal të ekonomisë së vendit. Gratë përbëjnë rreth 49,9 për qind të popullsisë në vend dhe niveli i punësimit të tyre varion nga 38 për qind në 40 për qind. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT-i, shkalla e papunësisë për femrat është 16,8 për qind. Bazuar në të dhënat e Inspektoratit të Punës, gratë janë të angazhuara në format e mëposhtme të aktivitetit ekonomik: të punësuara në sektorin shtetëror (arsim, shëndetësi, administratë publike, institucione të qeverisjes qendrore dhe vendore); në sektorin privat( kompani, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, shërbime të ndryshme); të vetëpunësuara në biznese të vogla ose ato familjare; të punësuara ose të vetëpunësuara në bujqësi. Një nga misionet e ISHP-së është që me rolin e tij kontrollues e këshillues të sigurojë zbatimin e legjislacionit të punës për të siguruar mbrojtje të veçantë dhe jodiskriminues për gratë e të rinjtë. Në legjislacionin shqiptar, veçanërisht në Kodin e Punës, janë një sërë dispozitash, të cilat parashikojnë mbrojtje të veçantë për gruan.
Kontrollet
Inspektorati Shtetëror i Punës nga kontrollet e ushtruara direkt në sektorë të ndryshëm të ekonomisë private ka hasur pjesëmarrjen e gruas në: industrinë përpunuese, industrinë tekstil-veshje, industrinë ushqimore, bujqësi, industri këpucësh dhe lëkure, shërbime kolektive etj. Të ndara sipas llojit të aktiviteteve rezulton se: në Shërbime dhe Ndërmarrje të Biznesit të Vogël rreth 38,6 për qind të punëmarrësve janë femra. Në sektorin e Ndërtimit dhe të Prodhimit të Materialeve të Ndërtimit rreth 10,9 për qind të punëmarrësve të evidentuar gjatë 2007-s kanë qenë femra. Në sektorin e prodhimit, rreth 73,4 për qind të numrit të përgjithshëm të punëmarrësve janë femra.
Sektori privat
Gratë e punësuara në sektorin privat, në Industrinë përpunuese, Industrinë tekstile veshje, Industri ushqimore, Bujqësi, Industri këpucësh dhe lëkurë, Shërbime kolektive, zotërojnë një arsim 8-vjeçar dhe të mesëm. Kurse niveli mesatar i pagave varion nga 15000 deri në 25000 lekë në muaj. Gjatë kontrollove të ushtruara në këtë sektor punësimi është konstatuar se nuk investohet në nivelet e kërkuara për të siguruar kushte pune normale dhe mirëqenie në ambientet e punës. Shpesh të intervistuarat shprehen për një monotoni në vendin e punës dhe nivel të ulët teknologjik, i cili kërkon një përqendrim më të madh në vendin e punës, duke ndikuar në gjendjen psiko-fizike të punëmarrësit dhe të femrave në veçanti.
Tregu informal
Në vendin tonë, gruaja është e pranishme dhe në tregun informal të punës. Madje, sipas ISHP-së, në mjaft rajone, sektori informal rivalizon në pagë dhe në punësim atë formal. Sipas ISHP-së, punësimi për gratë në sektorin informal është i shoqëruar me aktivitete ekonomike të pasigurta dhe që nuk sigurojnë punësim me kohë të plotë, gjenerojnë të ardhura të ulëta, janë të karakterizuara nga produktivitet relativisht i ulët. Gjithashtu, diferenca e pagave midis burrave dhe grave e bën gruan aktivisht të punësuar në tregun informal. Kjo situatë sjell një numër të ulët të familjeve, të cilat janë të suportuara vetëm nga gratë.
Faktorët që ndikojnë në punësim
Inspektorati Shtetëror i Punës, duke analizuar në vazhdimësi problemet e punësimit dhe sigurimin e standardeve në vendin e punës, ka konstatuar se, përveç nivelit arsimor dhe marrjes së një kualifikimi profesional të kufizuar, faktorët subjektivë që ndikojnë në punësimin e femrave në këto kategori punësh janë:
Faktori ekonomik
Niveli i papunësisë
Patriarkalizmi i shoqërisë shqiptare, që sjell ndikimin e autoritetit familjar për të qenë e detyruar për punësim në sektorë të vështirë
Nevoja për integrimin e të shpërngulurave në zonat më të civilizuara
Persona me aftësi të kufizuar për një arsimim të niveleve të mesme
Hapat për integrimin e grave në tregun e punës
Studim në nivel kombëtar për vlerësimin e resurseve ekonomike dhe nevojave monetare për investim. Kjo do të shoqërohet me vlerësimin e traditës zonale që është e rëndësishme për të pasur sukses,
Hapja e kurseve trajnuese si: si mund të hapet një veprimtari e vogël zejesh, përpunuese, tregtuese, turizëm familjar etj. Këto programe do të konceptohen sipas nivelit dhe nevojave të të interesuarve (grupeve që kanë nevojë për trajnim),
Sipërmarrëset femra duhet të luajnë një rol aktiv në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe të ndikojnë në rritjen e numrit të punonjëseve femra,
Duhet të investohet më shumë në lidhje me përmirësimin e kushteve të punës, për të siguruar në ambientet e punës hapësirat e nevojshme që ndihmojnë në rritjen e shkallës së higjienës së punës,
Aplikim i kredive me interes të ulët për ngritjen e bizneseve të vogla dhe për punësim,
Vendosja e kontrollit për futjen e një teknologjie më të përparuar, e cila do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë së produktit dhe do të zbuste lodhjen psiko-fizike të të punësuarve,
Sensibilizim i opinionit publik për rolin që ka femra në ekonominë e vendit dhe vetë investitoret femra duhet të japin kontributin e tyre në këtë fushatë që duhet të përfshijë vendin, jo vetëm në rastin e 8 Marsit.
5 Mars 2008