E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg me afat njëmujor për dy biznesmenët mashtrues

Gjykata e Korçës jep masën e sigurisë për Jani Llukën dhe Ilia Nikollën. Avokatët: “U investuan 2 milionë euro në firmën e kredituar nga qytetarët
KORÇË – Dy biznesmenët e përfolur të firmës piramidale do të qëndrojnë në burg vetëm një muaj dhe nëse do të faktohen denoncimet, atëherë ata do të dënohen sipas ligjit. Gjykata e Faktit në Korçë ka vendosur në një seancë të zhvilluar dje masën e sigurisë nga një muaj paraburgim ndaj biznesmenëve Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, të akuzuar “për vjedhje me anë të mashtrimit në shuma të mëdha”. Ka qenë kryeprokurori i rrethit të Korçës, Përparim Vukaj, ai që mbrojti kërkesën për masë sigurie para gjykatëses së gatshme Vojsava Osmanaj, duke parashtruar para trupit gjykues, që të dy të pandehurit të lihen në masën e sigurisë “arrest në burg pa afat” për vetë veprën penale që kanë kryer dhe rrezikshmërinë që ajo paraqet. “Procedimi penal për këtë çështje, që ne e klasifikojmë ‘vjedhje me anë të mashtrimit’, në dëm të shumë personave, të kryer më shumë se një herë, ka filluar në bazë të kallëzimit të disa qytetarëve huadhënës, të cilët kërkojnë që dy biznesmenët të ndiqen penalisht", - u shpreh prokurori Vukaj. Sipas tij, ndalimi i dy biznesmenëve është bërë pasi ata u janë fshehur huadhënësve dhe i kanë ndërprerë komunikimet me ta. "Kryerja e kësaj vepre penale paraqet rrezikshmëri shoqërore pasi dyshohet se aktiviteti i dy biznesmenëve ka funksionuar si një skemë piramidale dhe ne i dimë tashmë pasojat e tyre", - tha prokurori Vukaj në seancën gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë. Avokatët e dy të pandehurve kërkuan lirimin e të dy të akuzuarve për vjedhje me anë të mashtrimit, duke pretenduar se kanë kryer investime të rëndësishme në dy fabrika për prodhim konfeksionesh dhe se me kapitalin e tyre prej 2 milionë eurosh do të jenë në gjendje të kthejnë detyrimet për një grup të vogël huadhënësish. Gjykatësja e kësaj çështjeje, Vojsava Osmanaj, vendosi që dy biznesmenët e akuzuar për “vjedhje me anë të mashtrimit” të qëndrojnë në burg për një periudhë njëmujore, afat ky që ajo e argumentoi me përfundimin e hetimeve nga organi i akuzës si dhe mundësinë që dy huamarrësit të kthejnë detyrimet e tyre financiare për personat që u kanë marrë shuma parash me përqindje të lartë interesi.
Para një jave me dhjetëra qytetarë denoncuan sipërmarrësit Jani Lluka dhe Ilia Nikolla, pasi iu kishin dhënë me fajde miliona lekë, por prej disa kohësh ata nuk ua kishin kthyer huatë. Kjo solli denoncimin e tyre në prokurorinë e rrethit, por një pjesë e kontratave nuk janë të ligjshme, pasi u mungojnë aktet noteriale. Shtimi i rasteve të personave të mashtruar dhe denoncimi për mashtrim për dy sipërmarrësit e firmës “Interkonfeksion” solli shpalljen në kërkim të tyre dhe më pas ndalimin nga ana e policisë. Kjo ngjarje risolli në kujdesën e qindra e mijëra korçarëve situatën e firmave piramidale në vitin 1997, ku shqiptarët humbën miliona dollarë.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›