Dosja e hashashit në Kakavijë i kalon Krimeve të Rënda
GJIROKASTËR – Dosja e trafikimit të lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë, e kapur kohët e fundit, ku u arrestuan 5 persona në rrethin e Gjirokastës, i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Burimet zyrtare pohojnë se ata kamë marrë në dorëzim dosjen penale të pesë trafikantëve të lëndëve narkotike, të cilët pesë ditë më parë tentuan të kalonin nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës rreth 25 kg Canabis sativa. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullaj, tha se pas grumbullimit të provave materiale është arritur në konkluzionin se pesë të dyshuarit për trafikim të lëndëve narkotike, kishin konsumuar veprën penale të “trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe për këtë arsye, hetimet do të vijojnë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. “Pasi janë grumbulluar provat materiale nga Prokuroria e rrethit të Gjirokastrës, këta të fundit kanë nxjerrë pesë mandate ndalimi, gjë që ka bërë të mundur zhvendosjen e pesë të ndaluarve nga mjediset e Komisariatit të Gjirokastrës në Burgun 313 në Tiranë", - tha Mullai. Pesë ditë më parë, agjentët e sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, kanë zbuluar në gomën rezervë të kamionit tip “Skania”, me targë FR 97 89 B, rreth 25 kg lëndë narkotike të llojit Canabis sativa. Gjatë aksionit u ndaluan në flagrancë drejtuesi i kamionit, 38-vjeçari Dhimo Koraj, si dhe pasagjeri i tij, 30-vjeçari Aristotel Selfo dhe pas 12 orësh u ndaluan edhe tre persona të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të njohur nga policia.
5 Mars 2008