E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me faturat e energjisë, në gjyq tre punonjës të KESH

TIRANE – Abuzimi me faturat e shpenzimit të energjisë elektrike çon të pandehur në gjykatë për akuzën e shpërdorimit të detyrës, tre punonjës të KESH-it. 

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjykatë, dosjen penale në ngarkim të tre punonjësve të KESH-it, Sabri Hidri, G.RR., dhe G.A., të cilët akuzohen se kanë kryer përllogaritje të gabuar dhe të pasaktë të faturave të energjisë elektrike duke i shkaktuar dëm financiar Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Dosja penale është dorëzuar në gjykatë pak ditë më parë, ndërsa pritet të shqyrtohet në muajin shtator pas përfundimit të lejeve vjetore të gjykatësve dhe prokurorëve. Dosja penale në Prokurori është hapur pas një kallëzimi të bërë nga policia elektrike. Kjo e fundit gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të saj në terren ka zbuluar abuzimin e faturistëve dhe inxhinierëve të KESH-it. Ata dyshohet se gjatë veprimtarisë së tyre në zonën e rrugës “Komuna e Parisit” dhe në zonën e ish-frigoriferit kanë abuzuar me faturimin e detyrimeve financiare të qytetarëve për energjinë elektrike. Sipas verifikimeve që ka bërë policia elektrike, tre personat e akuzuar kanë faturuar detyrime nga qytetarët vlera shumë më të vogla financiare sesa kushtonte sasia e energjisë elektrike që ata kishin shpenzuar. Prokuroria nuk ka mundur të evidentojë nëse veprime të tilla janë kryer nga të akuzuarit për shkaqe korruptive, apo përfitimi financiar. Megjithatë, është faktuar sipas burimeve nga Prokuroria, abuzimi i tre të akuzuarve me përllogaritjen e gabuar të faturave, çka mësohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar. Për këtë shkak, policia elektrike ka bërë denoncim menjëherë në Prokurori dhe organi i akuzës ka filluar hetimet. Dosjes penale i janë bashkëngjitur raporte kontabël dhe verifikime të specialistëve, si dhe dhjetëra dokumente që provojnë përllogaritjen e gabuar të faturave të energjisë elektrike. Një pjesë e mirë e këtyre dokumenteve mësohet se do të paraqiten në gjykatë me qëllim ilustrimin e akuzave, që janë ngritur ndaj tre punonjësve të KESH-it që janë marrë të pandehur për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, punonjësit e denoncuar nga policia elektrike kanë qenë më shumë se tre, por abuzimet janë verifikuar vetëm për tre të pandehurit.              tr.so.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›