E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nihilistët e rrënuar VS Tiranës që punon

Lindita Nikolla 

Të thuash për Bashkinë e Tiranës se është bashkia më pak e aksesueshme për qytetarët, do të të kishte zili dhe nihilisti më i madh. Ca më shumë të aludosh se hamendësimet majë më majë e degë më degë në artikullin “Decentralizimi i rrënuar i Tiranës” janë konkluzione anketimesh, siguria është e plotë se zgjedhja e kampionit të studiuar nuk ka ardhur tjetër veçse nga një bashkësi nihilistësh që dinë ta vërtisin të paqenën.
Në qoftë se do të ofroja argumente se sa dhe si punon Bashkia Tiranë dhe se sa dhe si modeli i kryebashkiakut Rama po kthehet anembanë Shqipërisë në modelin e shpresës, me siguri artikullshkruesi do të nxitonte të më nënqeshte. Edi Ramën e mbron puna dhe i vetmi realitet shpresëdhënës i Tiranës. Ai është dhe modeli im në qeverisjen e Njësisë Bashkiake Nr.1. Edhe pse do të më quash ithtare të paarsyeshme (siç bën në shkrimet e tua), të kujtoj se ai ishte modeli që i referoheshin të gjithë kandidatët e të majtës shkurtin e një viti më parë.  Unë vazhdoj ta kem modelin e punës dhe gjenerimit të ideve, jo modelin e mbrojtjes apriori. Ndaj ca më shumë duhet të mbrohem nga “mbrojtja” që më bëni në atë shkrim duke “shformuar” modelin. Më quani si të doni, por mos gënjeni. Unë nuk mund të mos i përgjigjem kujtdo që guxon në emër të çfarëdo vokacioni folklorik apo ethesh politike të cenojë punën e palodhur në krye të Njësisë Bashkiake Nr.1.
E formuar për të zhvilluar së pari përgjegjësi personale, po sjell para artikullshkruesit dhe opinionit publik disa argumente, që janë realisht shumë pak në raport me punën e palodhur timen personale dhe stafit të Njësisë Bashkiake Nr.1.
Unë nuk mund të pranoj se jam në një gjendje të vajtueshme, me kompetenca qesharake dhe se nuk mund të krahasohem as me kryetarin e dikurshëm të lagjes së Partisë së Punës.
Këto reminishenca janë të turpshme. Kërkesa e vazhdueshme për modelimet e punës në grup, institucionalizimit të punës me objektiva të matshme, monitorimit dhe vlerësimit për të bërë ndërhyrjet e nevojshme janë pikat e forta të menaxhimit në emër të një shërbimi gjithnjë e më cilësor për qytetarin. Kur u përfshiva në garën elektorale (padyshim me mbështetjen e të gjithë forcave të majta) e kam ditur se çfarë kompetencash do të ushtroja. Mbi bazën e tyre ndërtova projektin elektoral, që po merr jetë çdo ditë, duke lexuar pas çdo kompetencë përgjegjësi të reja dhe padyshim shumë punë.
Është ky projekt që lë jashtë aludimet se jemi kthyer në lëshues certifikatash, për të qarë hallin. Mbrojtja më e thjeshtë do të ishte të them se anketimet e qytetarëve të Njësisë që unë drejtoj e vërtetojnë këtë, por si e dashuruar pas shifrave do të ftoja këdo të shihte volumin e punës të të gjithë zyrave e sektorëve të përkthyer në tregues të matshëm objektivash.
Unë nuk mendoj dhe për këtë jam gati të ballafaqohem me këdo, se votuesit e mi ndjehen me turp për votën e dhënë. Jo. Është shumë të hedhësh si pa të keq një baltë të tillë në emër të tyre.
Se sa i vyer është komunikimi im me çdo qytetar dhe se si është ndjesia e përcjellë për të dy palët, e tregon fakti se ai vazhdon ende çdo ditë dhe pa orar.
Unë nuk e di se kujt kryetari Njësie Bashkiake i referohet artikulli në fjalë kur nënvizon se asnjë kryetar nuk mund të shtrojë asnjë metër rrugë me asfalt, se nuk mund të bëjë asgjë për pesetat që hapen etj. Mua sigurisht që nuk më referohet. Ndaj teprimi për të folur në emër të përgjithshëm është jo vetëm mungesë etike, por dhe një koeficient i madh mosbesimi ndaj pathosit për të mbrojtur kryeminibashkiakët e “mjerë”.
Në qoftë se do të isha pyetur se si i përdor kompetencat e mia dhe se sa e lirë jam për t’i shërbyer komunitetit tim, ndoshta shkrimi do të ishte më i kujdesshëm ndaj punës ose minimalisht më i përshtatur në kohë dhe realitet. Nuk jam fshehur pas kompetencave për të qenë prezente në Komisariatin e Policisë kur banorë janë përfshirë në konflikt, në zyrat e KESH-it apo Ujësjellës-Kanalizimeve për zgjidhjen e shumë situatave të vështira të ujit, për t’u shprehur personalisht në katër seanca gjyqësore për problemin e pronësisë së banorëve të Shkozës, për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të plotësimit të dokumentacionit të dosjes për banorët e Bregut të Lanës për të përfituar bonusin e qerasë etj.
Ca më shumë më mjaftojnë kompetencat për të zhvilluar punën me projekte dhe evidentuar donatorë të mundshëm apo iniciuar nisma të reja, si dhe krijimin e bordeve qytetare ku transparenca dhe llogaridhënia e kryetares për nivelin e realizimit të objektivave dhe mënyrën e shpenzimit të fondeve publike është e dhëna bazë.
Ne ndoqëm këtë vit një mënyrë të re të identifikimit të nevojave dhe përcaktimit të prioriteteve së bashku me qytetarët e Njësisë sonë. Organizuam dëgjesa publike të shoqëruara me votim të qytetarëve, për të vendosur prioritete në radhën e nevojave të identifikuara po prej tyre. Investimet që do të realizohen në Njësinë tonë në infrastrukturë rrugore sipas të gjitha kërkesave të bëra nga qytetarët, ngritja e tregjeve publikë, ngritja e Qendrës Komunitare për personat me aftësi të kufizuar, ndërtimi i banesave sociale dhe shkollës së re, kthimi në një park bashkëkohor i mjedisit të fushës “Ali Demi”, ngritja e dhjetë fushave sportive “Dua të luaj” etj., nga Bashkia Tiranë zënë një peshë specifike në raport me nivelin e investimeve të viteve të fundit. Mundësimi i tyre padyshim ka brenda mundin e punës së përbashkët në emër të përmirësimit të cilësisë së jetës në komunitetin tonë.
Buxheti i vitit 2008 shënon një rritje prej 36% ose 10.112.951 lekë më shumë në raport me vitin 2007. Të ardhurat e akorduara rriten me 37%, ose 8.915.000 lekë më shumë se viti 2007, të ardhurat e trashëguara rriten me 75%, ose 996.259 lekë më shumë se viti 2007. Kjo situatë do të thotë rritje të cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe projekteve investuese në njësinë tonë.
Në zërin e investimeve tona, ne do ju paraprijmë investimeve nga Bashkia Tiranë apo donatorë të tjerë të mundshëm, përmes një pune profesionale. Kështu ngritja e tregjeve publikë do të paraprihet nga projektet e realizuara prej nesh, ngritja dhe funksionimi i qendrës komunitare nga vlerësimi paraprak i bërë nga institucione të specializuara në bashkëpunim me ne për nivelin e ndihmës, identifikimi i territoreve për fushat sportive etj. Do të mundësojmë me fondet tona, në bashkëpunim me komunitetin, rritjen e përmasës së gjelbërt në njësinë tonë dhe ambienteve çlodhëse për të moshuarit, duke investuar nga fondi i të ardhurave të Njësisë Bashkiake. Gjithashtu ne do të investojmë si njësi, pra nga fondet tona, në shtrim asfaltimin e disa rrugëve lidhëse.
Do të vazhdojmë me sukses projektin “Punë në komunitet”, duke shtuar një front të ri, atë të shërbimit në shtëpi për njerëzit më në nevojë. Parimet e mirëqeverisjes vendore janë vlerat me të cilat masim punën tonë ku, transparenca, ndershmëria dhe mirëmenaxhimi i fondeve publike do të paraprijnë procese të zhvillimeve afatgjata në të gjithë komunitetin tonë. Janë këto parime dhe zhvillime që kërkojnë vëmendjen e të gjithë faktorëve politikë drejt proceseve decentralizuese të qeverisjes vendore. Ato nuk mund të jenë atribut i një njeriu të vetëm, sado i suksesshëm të jetë ai si Edi Rama, e ca më shumë nuk mund të shtohen duke mohuar, as të forcohen duke u qarë për mungesën e tyre.
Unë siguroj komunitetin tim edhe njëherë se nuk më mungojnë kompetencat për të realizuar gjithçka kam premtuar në projektin elektoral, si dhe zhvilluar protagonizëm e përgjegjësi të reja në emër të së mirës së përbashkët. Modeli i Tiranës që punon është modeli i suksesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›