E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balerini gjendet i vdekur në bodrum

Një adoleshent 14-vjeçar, frekuentues i kurseve për balerin është gjetur i vetëvarur në rrethana misterioze në bodrumin e një pallati pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të hënës, por vetëm ditën e djeshme policia ka mundur të konfirmojë identitetin e viktimës. Celulari i tij kishte marrë dhjetëra thirrje nga familja, ndërsa policia sapo mbërriti në vendin e ngjarjes telefonoi mbrapsht në numrat që kishin marrë viktimën, duke arritur të konfirmonte nga familja e tij, identitetin e të vetëvarurit. Sipas burimeve zyrtare, ai është E. Kërleshi, 14 vjeç, banues në Tiranë, babai i pronarit të një dyqani në afërsi të zonës së 9-katësheve. Spektri i hetimeve të policisë rreth shkakut të vrasjes përfshin një gjendje depresive të adoleshentit ose mundësinë e ndonjë mosmarrëveshje me një vajzë, me të cilën viktima shoqërohej vazhdimisht. Policia konfirmon se ngjarja është një vetëvrasje, ndërsa mbetet enigmë lëvizja e adoleshentit në drejtim të Stacionit të Trenit kur në fakt ai duhej të shkonte në dyqanin e të atit në afërsi të 9- katësheve. E.Kërleshi, vetëm 14 vjeç që prej më tepër se 6 muajsh, stërvitej me një mësues privat për t’u bërë një balerin i ardhshëm. Ai është identifikuar nga prindërit dhe të afërmit e tij në morgun e Tiranës, ku ata ishin dërguar nga policia, pasi kishin komunikuar nëpërmjet telefonit të viktimës, i cili është gjetur pranë vendit ku ndodhi ngjarja në bodrumin e pallatit.
Misteri
Mbrëmjen e të hënës në një bodrum në afërsi të Stacionit të Trenit u gjet i varur 14-vjeçari. I riu, sipas të afërmve kishte pak ditë që kishte filluar punë në një sallë bilardoje në pronësi të hallës së tij, ndërsa po i dërgonte një sasi të hollash babait të vet, i cili kishte në pronësi një dyqan pranë 9-katësheve. Ngjarja e të hënës pasdite duket se ka qenë e papritur për familjen e 14-vjeçarit, të cilët janë shprehur se nuk e prisnin një veprim të tillë nga adoleshenti. Shokët e tij thanë se e kanë takuar atë para disa ditësh dhe nuk kishin vënë re ndonjë veprim apo sjellje të dyshimtë, e aq më pak ndonjë shenjë apo mesazh lidhur me paramendimin e vetëvrasjes. Për disa orë adoleshenti, që ëndërronte balerinët e shquar shqiptarë të televizioneve italiane, ka mbetur i paidentifikuar në morgun e Tiranës, pasi nuk kishte ndonjë dokument identifikimi me vete. E vetmja mundësi për të ishte telefoni, i cili sipas të afërmve, ishte i rrëzuar pranë vendit ku ishte gjetur i vdekur 14-vjeçari.
Vetëvrasja
Motra e madhe e 14-vjeçarit u ka treguar shokëve të lagjes pasditen e djeshme se i vëllai nuk ua kishte hapur telefonin pjesëtarëve të familjes, kur ata e telefonin pafundësisht pasditen e të hënës. Ata kishin nisur të bëheshin merak për të pasi rreth orës 14:00, kishte lënë punën tek bilardoja e hallës së tij ku kishte mbledhur një sasi lekësh të vogla. Ai ishte nisur t’i dërgonte paratë tek i ati, të cilit i duheshin tek dyqani i tij në afërsi të 9-katësheve për të kthyer kusur. Por ende nuk dihet se si 14-vjeçari, ka mbërritur tek Stacioni i Trenit dhe pikërisht tek bodrumi ku edhe është gjetur i vetëvarur. Disa nga shokët e tij të lagjes, dyshojnë se ai në fakt mund të jetë varur nga persona të tjerë, të cilët janë përpjekur ta shfaqin këtë vrasje si vetëvrasje. “Kishte hematoma në duar dhe në qafë, ai kishte tentuar të fuste duart për të hequr litarin. Në vende të tjera nuk e di në ka pasur shenja dhune, por ne pamë krahët”, tregon një adoleshent, shok i viktimës, që dëshiron të mos identifikohet. Sipas tij, ai nuk mund të ketë kryer një akt të tillë, pasi nuk ishte tipi që mërzitej.

Dyshimet për vetëvrasjen e balerinit
Ndryshimi i destinacionit të lëvizjes për tek Stacioni i Trenit në një kohë kur duhej të shkonte tek babai i tij tek 9-katëshet dhe ishte nisur nga zona e Brrylit në Tiranë, nuk është i vetmi dyshim për të afërmit dhe policinë. Adoleshenti nuk ka lënë asnjë letër dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë se, do të kryente vetëvrasje ashtu siç duket se ka ndodhur mbrëmjen e të hënës.

Tentativa për të hequr litarin
Shokët e adoleshentit, që u gjet i vdekur në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë, në bodrumin e një pallati, kanë treguar se në momentet e fundit të jetës së tij, 14-vjeçari kishte mbetur i fiksuar me dy duart e tij, që përpiqeshin të largonin mjetin që i kishte bllokuar frymëmarrjen në qafë. Ky fakt, sipas shokëve të viktimës hedh dyshime se ai nuk është vetëvarur.

Flet xhaxhai i viktimës: Mjekët e hetuesit thanë se është vetëvrasje

TIRANE – Bujar Kërleshi, xhaxhai i balerinit E. Kërleshi, pavarësisht se ka qenë tepër i tronditur nga vdekja e nipit të tij, ka pranuar të tregojë pak elementë mbi ngjarjen. Ai pranon se mbetet i paqartë mbi motivin dhe shkakun e vetëvrasjes së djalit 14-vjeçar. Xhaxhai i viktimës pranon se mjekët ligjorë dhe ekspertët e policisë i kanë konfirmuar atij se vdekja e adoleshentit ka qenë vetëvrasje, megjithatë i afërmi i viktimës mbetet i paqartë për ndryshimin e destinacionit të lëvizjes së viktimës nga 9-katëshet tek Stacioni i Trenit.
Si e mësuat vdekjen e djalit 14-vjeçar?
E ëma dhe i ati e merrnin në telefon dje pasdite, dhe ai nuk përgjigjej. Një polic më pas kishte marrë ata në telefon dhe iu kishte thënë që të shkonin në komisariatin nr.3. Ata dyshuan në fakt, për shkakun pse duhej të shkonin në polici. Fillimisht menduan se mos kishte bërë ndonjë gjë. Atje na thanë që kishte varur veten.
Kishit dyshime se mos e kanë detyruar, apo e kanë varur?
Dyshuam sigurisht. Unë dyshova, por mjekët na thanë se ishte vetëvarje e qartë. E pashë që kishte hematoma në krahë, dhe mjekët na konfirmuan se nuk bëhej fjalë, përveçse një vetëvrasjeje të plotë. Na thanë se ai kishte përdorur një litar për të kryer këtë veprim. Për këtë jam i bindur. Dyshimi im mbeten se çfarë donte ai te Stacioni i Trenit.
Për çfarë motivi ka ndodhur ngjarja?
Nuk di të të them një motiv të saktë, sepse mund të flas kot. Ne kemi dyshime shumë, por një motiv ende nuk e dimë.

“I gjetëm disa para me vete”

Burimet nga grupi hetimor i ngjarjes, konfirmuan dje se adoleshentit që u gjet i vdekur në momentin e këqyrjes nga ekspertët i janë gjetur disa para me vete në xhepat e rrobave. Një fakt i tillë hedh dyshime rreth një grabitje të mundshme e cila nëse do të kishte ndodhur, adoleshentit do i ishin marrë paratë. Gjetja e shumës së të hollave në rrobat e viktimës përjashton edhe mundësinë që ai t’i ketë shpenzuar paratë dhe më pas të jetë vetëvarur, për shkak se nuk kishte si të justifikonte humbjen e tyre, pasi të kthehej tek dyqani i babait të tij ku duhej të dorëzonte të hollat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›