E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, ndryshojnë kuotat e pagesave

Qeveria ul tarifën e formularit që duhet të paguajnë banorët e zonave informale. Të gjithë personat, që kërkojnë legalizim të banesave informale, duhet të paguajnë një tarifë fillestare prej 4 mijë lekësh të reja. 

bledar hoti

Sipas vendimit të marrë nga qeveria “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizimin dhe mbledhjen e administrimit të të ardhurave të procesit të legalizimit”, përcaktohet tarifa që duhet të paguajë çdo person, duke realizuar dhe unifikimin e kësaj procedure.  Në bazë të relacionit të qeverisë theksohet se, “nëse do t’i referoheshim kritereve faktike vlerësuese për përgatitjen e dokumentacionit tekniko-ligjor, krijimin dhe mirëmbajtjen e bazës së të dhënave ndërtimore, përgatitjet e lejes së legalizimit dhe regjistrimit fillestar, vlera e aplikuar e tarifës së shërbimit do të shkonte afërsisht 650.000-70.000 mijë lekë”. “Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje, është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë. Kjo vlerë është e pandryshueshme, pavarësisht nga sipërfaqja e ndërtimit, numrit të kartave apo destinacionit të përdorimit të objektit informal/shtesë informale”, thuhet në pikën një të këtij vendimi. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim, do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesë së tarifës së shërbimit, proces, i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilëve janë kualifikuar për legalizim”, citohet më tej në të njëjtën pikë të vendimit. Kjo nga ana e qeverisë shihet si një hap i parë për procesin e legalizimit të banesave informale. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilët banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katrorë, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Kjo taksë do të paguhet në llogari të bashkive dhe komunave, ku ndodhet objekti pa leje. Fondi i saj që do të krijohet, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike dhe realizimin e tyre në këto territore informale, si dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Legalizimi i tokës
Në këtë vendim është përcaktuar dhe pagesa për parcelën ndërtimore, që do të realizohet së bashku me legalizimin e banesës informale. “Për objektet informale me funksion banimi, kur sipërfaqja e parcelës ndërtimore është e një madhësie të ndërmjetme nga sipërfaqet e përcaktuara në nenet 19, 20, 21 e 22, pagesa për të, do të jetë shuma e vlerës më të vogël në lekë, plus vlerën shtesë që del llogaritja me interpolim për sipërfaqet shtesë”, shtohet në pikën 4 të vendimit. Nëse kjo banesë që do të lokalizohet përdoret për qëllime biznesi, atëherë vlera e parcelës ndërtimore llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për metër katrorë, në çastin e kalimit të pronësisë. Në pikën 4.5 të këtij projektvendimi përcaktohet mënyra e përllogaritjes së vlerës së parcelës ndërtimore dhe procedurave, që duhen ndjekur për shlyerjen e kësaj pagese, si një e ardhur tepër e rëndësishme. “Nga kjo pagesë 20 % e saj do të shërbejë për investime vendore në infrastrukturë, studime urbanistike dhe 80 për qind për realizimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve në këto territore”, citohet në relacionin e vendimit të qeverisë. Ndërsa është përcaktuar se “subjektet, që kanë vetëdeklaruar në muajin e 3-të (16 shtator-15 tetor 2006) dhe të 4-t (16 tetor-29 nëntor 2006) të periudhës së vetëdeklarimit, së bashku me tarifën e shërbimit, do të paguajnë dhe sanksionet e parashikuara për këtë qëllim, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, duke iu referuar kohës së vetëdeklarimit dhe natyrës së ndërtimit informal (vilë, shtesë familjare, shtesë komerciale)”.

vendimi i qeverise

1. Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje/ shtesave informale në ndërtime me leje është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë. Kjo vlerë është e pandryshueshme, pavarësisht nga sipërfaqja e ndërtimit, numrit të kartave apo destinacionit të përdorimit të objektit informal/shtesë informale.
1.2 Të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për legalizim do të përfshihen në të ardhurat jashtë limit dhe do të përdoren nga ALUIZNI, për përditësimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik të objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje, si dhe për ngritjen e funksionimin e zyrave pranë njësive të qeverisjes vendore, që do të kryejnë këtë shërbim.
1.3 Për objektet informale të kualifikuara për legalizim, ALUIZNI afishon listën e subjekteve posedues dhe i pajis ato me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit.
1.4 Brenda një muaji nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, subjektet që do të vazhdojnë procedurat e legalizimit të objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje, dhe do të derdhin këtë pagesë në numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI.
2. Subjektet, që kanë vetëdeklaruar në muajin e 3-të (16 shtator-15 tetor 2006) dhe të 4-t (16 tetor-29 nëntor 2006) të periudhës së vetëdeklarimit, së bashku me tarifën e shërbimit, do të paguajnë dhe sanksionet e parashikuara për këtë qëllim, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, duke iu referuar kohës së vetëdeklarimit dhe natyrës së ndërtimit informal (vilë, shtesë familjare, shtesë komerciale), të parashikuara në nenin 8, të ligjit “Për legalizimin urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
3. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, në përputhje me të dhënat ndërtimore të dokumentacionit teknik (genplan, planimetri) kryen llogaritjen e vlerës së taksës së ndikimit në infrastrukturës për çdo objekt informal, publikon listën emërore të subjekteve taksapaguese dhe i pajis ato me formularin e pagesës.
3.1. Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për m2, publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave, në kohën e llogaritjes në përputhje me pikën 2, të nenit 14, të ligjit nr. 9416, datë 20.05.2005, “Për procedurat e privatizimit të banesave, të ndërtuara ose të blera me fonde shtetërore nga Enti Kombëtar i Banesave”.
3.2 Për objektet me leje, me shtesa informale në ndërtim, përqindja e taksës vendore të ndikimit të infrastrukturë do të aplikohet mbi vlerën e investimit të shtesës informale.
3.3 Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet brenda 30 ditëve, nga data e pajisjes me formularin e pagesës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, ku ndodhet ndërtimi informale. Fondi i krijuar nga pagesa e kësaj takse do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike, realizimin e tyre dhe përmirësimin e infrastrukturës së territoreve, që legalizohen.
4. Pagesa për parcelën ndërtimore, mbi të cilën është ngritur objekti informale, shtesa informale në ndërtime me leje, llogaritet nga ALUIZNI, duke iu referuar neneve 19, 20, 21 e 22 të ligjit 9842, datë 3.4.2006.
4.1 Për objektet informale me funksion banimi, kur sipërfaqja e parcelës ndërtimore është e një madhësie të ndërmjetme nga sipërfaqet e përcaktuara në nenet 19, 20, 21 e 22, pagesa për të, do të jetë shuma e vlerës më të vogël në lekë, plus vlerën shtesë që del llogaritja me interpolim për sipërfaqet shtesë.
4.2 Kur objekti informal ka funksion social-ekonomik, vlerë në lekë e parcelës ndërtimore llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për m2, në çastin e kalimit të pronësisë.
4.3 Për objektet informale, me funksion të përzier (për banim dhe funksion social-ekonomik), për të llogaritur vlerën e parcelës ndërtimore do të aplikohet dhe koeficienti i shfrytëzimit të ndërtesës në legalizimin e përcaktuar me vendim nr.870, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”, sipas formulës: Vlera shtesë= Sip.social-ekonomike X, çmimi për m2 i parcelës X (1±K).
4.4 Likuidimi i vlerës së parcelës ndërtimore do të bëhet menjëherë, për objektet me funksion social-ekonomik, në numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim, nga ALUIZNI.
4.5 Për objektet informale, me funksion banimi dhe funksion të përzier (banim dhe social ekonomik), likuidimi i parcelës ndërtimore mund të kryhet:
i. Në mënyrë të menjëhershme, duke përfituar zbritje në masën 20% të vlerës, për sipërfaqen totale të parcelës (në sipërfaqe totale përfshihen edhe ato sipërfaqe, të cilat u shiten subjekteve me çmimin e tregut, pasi nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, për shkak të përmasave apo konfiguracionit të tyre, si dhe sipërfaqet e zëna nga ndërtimi, të cilat tejkalojnë kufizimet e neneve 19, 20 e 21 të ligjit nr. 9842, “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
ii. Brenda një viti me dy këste, ku kësti i parë të jetë jo më pak se 50 % të vlerës, duke përfituar një zbritje në masën 10 % nga vlera e këstit të dytë, për sipërfaqet totale të parcelës;
iii. Brenda tri viteve, për rastet e pamundësisë së shlyerjes të këstit të dytë.
4.6 Për shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore, subjektet mund të përfitojnë nga skema e kreditimit bankar.
5. Sanksionet për subjektet dhe/ose shoqëritë ndërtuese, që kanë shtesa anësore ose shtesa në kate, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënie, llogariten nga ALUIZNI, në përputhje me përcaktimet dhe përqindjet e përcaktuara në nenin 43, të ligjit 9842, “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
5.1 Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes vendore brenda 30 ditësh, nga pajisja me formularin e penaliteteve për legalizimin e shtesave informale të subjektit ndërtues.
5.2 Për subjektet dhe/ose shoqëritë ndërtuese, të cilat kanë paguar sanksione të mëparshme për shkelje të lejes së ndërtimit, nga vlera totale e sanksioneve do të zbritet vlera e paguar më parë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 mars 2008.
Kryeministri
Sali Berisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›