Abuzimi me ilaçet, Elvana Hana dëshmon për 2 orë në Prokurori
• TIRANE - Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, dëshmoi dje në Prokurorinë e Tiranës për 2 orë e 30 minutalidhur me hetimet që po zhvillohen për zhdoganimin e ilaçeve të importuara dhe tenderat e zhvilluar në institucionin e drejtuar prej saj. Hana hyri në Prokurorinë e Tiranës rreth orës 14:26 dhe ka qëndruar para hetuesve të çështjes deri në orën 17:00. Vetëm një orë pasi kishte filluar të dëshmonte për hetuesit e Task-Forcës, Elvana Hana ka telefonuar njërin prej punonjësve të ISKSH-së dhe i ka kërkuar të paraqitej në Prokurorinë e Tiranës për të sqaruar edhe ai procedurat e ndjekura me tenderat e ilaçeve dhe importimin e tyre në Shqipëri nga Greqia. Sipas burimeve nga Prokuroria e kryeqytetit mësohet, se Elvana Hana ka hedhur poshtë akuzat për abuzime me ilaçet në institucionin e drejtuar prej saj, duke thënë se të gjitha procedurat kanë qenë të rregullta dhe ligjore. Hetuesit e Task-Forcës kundër krimit ekonomik dhe Korrupsionit, megjithatë kanë kërkuar sqarime të hollësishme nga drejtuesja e ISKSH-së, pasi ata dyshojnë se dëmi i shkaktuar shtetit nga abuzimet ka qenë disa miliona euro. Zyrtarja Elvana Hana mësohet, se është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit. Procedimi penal për të cilin ajo dëshmoi dje në Prokurorinë e kryeqytetit filloi kryesisht me iniciativën e organit të akuzës. Shkak për nisjen e hetimeve kanë qenë disa shkrime mediatike që denoncuan abuzimet e dyshuara me tenderat dhe importin e ilaçeve në Shqipëri nga Greqia. Hetimi për abuzimet përfshin edhe një tender për shtypshkrimet të zhvilluar nga ISKSH-ja më 28 qershor 2007 për të cilin Auditit të Brendshëm i është kërkuar të anulojë të gjitha procedurat e ndjekura. Prokuroria dyshon se një prej konkurrentëve në tender kishte paraqitur çmim më të ulët sesa pjesëmarrësit e tjerë, por ishte zhdukur nga dosja e prokurimit në mënyrë misterioze. Hetuesit dyshojnë edhe për abuzime të tjera të kryera me rreth 30 barna mjekësore më të shtrenjtat, që rimbursohen nga shteti shqiptar. Abuzimet dyshohet se janë kryer me çmimet e deklaruara për këto barna në doganën shqiptare. Sipas të dhënave të mbledhura nga prokuroria, çmimet e deklaruara me çmimet reale nuk kanë përputhje në rastin e këtyre barnave. tr.so