Marrëveshja, kush ka zanat dhe di gjuhën, lehtësi punësimi në Itali
• Lehtësohen kushtet e migrimit për motive punësimi në Itali. Më të favorizuar do të jenë të gjithë punëkërkuesit që njohin gjuhën italiane dhe kanë kurse profesionale.Qeveria shqiptare ka miratuar dje në parim marrëveshjen me shtetin italian në fushën e punës. Bazuar mbi këtë dokument do të vihen në praktikë kushtet e përzgjedhjes për aplikantët që do të mund të përfitojnë prej saj. Sipas marrëveshjes mbi bazën e kushteve të tregut të punës, pala italiane do të caktojë një kuotë të caktuar hyrjesh për shtetasit shqiptarë. Më pas të gjithë ata persona që kërkojnë të ushtrojnë një aktivitet pune pranë një punëdhënësi në Itali, qoftë edhe sezonale, do të aplikojnë. Sipas kritereve të shtetit fqinj, kandidatët do të përfshihen në një listë që do të dërgohet në këtë shtet. Pala italiane do të marrë përsipër ta shpërndajë këtë listë, duke mundësuar konsultimin e saj me punëdhënësit italianë. Lista do të përmbajë të gjitha të dhënat për kandidatin, duke filluar nga arsimimi, kualifikimi, përvojat e punës, niveli i njohjes së gjuhës italiane dhe kritere të tjera. "Shtetasit shqiptarë të regjistruar në listën përkatëse që tregojnë se njohin gjuhën italiane dhe kanë marrë pjesë në kurse të formimit profesional ose gjuhësor në vendin e origjinës, do të mund të merren në punë në Itali jashtë kuotës", thuhet në nenin 4 të kësaj marrëveshjeje. Nga ana tjetër, palët kontraktuese në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar do të favorizojnë formimin e punonjësve që do të jenë kandidatë në vendin tjetër, me qëllim që të japin personel të kualifikuar që t'i përgjigjet profileve të kërkuara nga tregu i punës. Kjo marrëveshje, sipas Ministrisë së Punës, shpreh qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me migrimin. Çka do të thotë se migrimi për motive punësimi jo vetëm që zhvillohet përmes një përqasjeje kërkesë oferte, por dukuria bashkëshoqërohet edhe nga një komponent i rëndësishëm, siç është ai i integrimit të punëtorëve në jetën e shtetit pritës.