Investimet, Berisha: Tani ndërtuesit punë me 3 turne
• Ndërtuesit po punojnë me ritme të ngadalta dhe për rrjedhojë po vonojnë përfundimin në kohë të projekteve rrugore.Deklarata është dhënë nga kreu i qeverisë, Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Jo pak herë zyrtarë të lartë të qeverisë janë shprehur se shkak për mosrealizimin në kohë të investimeve janë kapacitetet e ulëta të firmave të ndërtimit. Kjo, pasi disa firma ndërtimi garojnë për të fituar 10 tendera me të njëjtat dokumente dhe me 1/10 e kapaciteteve me të cilat duhet të përmbushin detyrimet e përcaktuara. Në këto kushte, Kryeministri deklaroi se shumë shpejt do të përcaktohen standarde të reja për pjesëmarrjen e firmave të ndërtimit në tenderët publikë. Madje, ai ka thënë se tani e tutje kompanitë do të punojnë me tre turne, në mënyrë që projektet infrastrukturore të përfundojnë në kohë. "Do të përcaktohen të gjitha modalitetet e kontrollit para se të nënshkruhet kontrata, sikundër kompanitë e ndërtimit do të detyrohen në kontratë që nga data 22 mars deri më 22 tetor të punojnë me tre turne, në rast se duan të aplikojnë për punë publike. Kjo kërkon të punësojnë më shumë punëtorë, por këto do të jenë kushtet tona", tha Berisha. Sipas tij, gjatë vitit të ardhshëm do të miratohet akti shumë i rëndësishëm, që do të përcaktojë këto rregulla dhe punën me tre turne. "Kjo periudhë duhet të jetë periudhë tre turnesh dhe do të shikohet mundësia e lëvizjes së datës 22 mars me vendim qeverie, në rast kushtesh të jashtëzakonshme të motit", theksoi ai. Realizimi në kohë i investimeve publike është një ndër pikat më të debatuara mes pozitës dhe opozitës. Por akuzave të ngritura nga deputetët e opozitës, qeveria i është kundërpërgjigjur me arsyen se shkak për këto vonesa janë kapacitetet e ulëta të firmave vendase të ndërtimit. Ndërsa për sa i përket mosrealizimeve të investimeve me fonde të huaja, janë pengesat me shpronësimet. Vitin e kaluar investimet nuk mundën të realizoheshin në masën 100%, ndërkohë që për këtë vit investimet me fonde të brendshme deri në muajin nëntor kanë qenë në masën 80 për qind, ndërsa me fonde të huaja 50 për qind.Ndërtuesit, nuk ka drita që të punojmë edhe natënPas deklaratës së Kryeministrit Berisha, reagimi i ndërtuesve ka qenë i menjëhershëm. Sipas shoqatës së ndërtuesve, firmat nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të punuar gjatë natës, kjo pasi në zonat ku ndërtohen rrugët energjia elektrike mungon nga ora 24:00 deri në 08:00 të mëngjesit. Në reagimin e tyre ata nuk janë pajtuar me deklaratën e kreut të qeverisë, se firmat e ndërtimit nuk kanë kapacitetet e duhura, madje sipas ndërtuesve kapacitetet e tyre janë të konfirmuara dhe janë të aftë të thithin fondet dhe t'i vënë ato në punë. "Nëse ka punë, janë firmat vetë që janë të interesuara të shtojnë ritmin e punimeve për të përfunduar brenda afateve ligjore. Nuk jemi ne që po vonojmë realizimin e investimeve, por janë procedurat e pafundme që nuk lejojnë të vazhdojmë, duke filluar nga dokumentacioni i ngarkuar deri te mospagesat në afate për punimet e kryera", janë shprehur ndërtuesit në deklaratën e tyre për mediat.