E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratiset në Greqi vrasësi i të fejuarës

• Kërkimet e policisë së kryeqytetit për Dan Hutrën, autorin e vrasjes së të fejuarës së tij, Dafina Havalaj, ndryshojnë drejtim.Dashamir Biçaku"Dyshojmë se Dan Hutra është larguar në drejtim të Greqisë, ku edhe mund të jetë fshehur në ndonjë prej adresave, ku ka qëndruar më parë gjatë kohës së emigracionit në këtë vend". Kështu është shprehur dje për gazetën "Panorama", një zyrtar i policisë së kryeqytetit, në lidhje me kërkimet për arrestimin e Dan Hutrës. Dyshimet e policisë për një largim të autorit të vrasjes në drejtim të Greqisë, janë ngritur pas kërkimeve dhe kontrolleve në të gjitha banesat e personave të afërt dhe të njohur të Dan Hutrës. Burimet e policisë së komisariatit nr.2, në Tiranë, pohuan dje se mundësia e largimit të Dan Hutrës në Greqi, nuk është vetëm një dyshim policor por edhe një informacion i ardhur nga agjentët e policisë kriminale në rrugë operative. Nuk dihet se cila ka qenë rruga e mbërritjes së informacionit tek agjentët, por mësohet se pikërisht një drejtim të tillë rreth ikjes së Dan Hutrës në Greqi, po verifikojnë edhe strukturat e policisë. Sipas tyre, tashmë kjo është një nga drejtimet më të mundshme, ku dyshohet se mund të jetë larguar Dan Hutra, i cili ka disa persona të njohur në Greqi. Nga burime konfidenciale të policisë mësohet, se forcat e rendit kanë kontrolluar dhe mbajtur në vëzhgim edhe banesën e 26-vjeçarit të akuzuar për vrasje në Kukës. Atje është vënë re mungesa e autorit të vrasjes me thikë të Dafina Havalajt. Cigare pas vrasjesNë shtëpinë ku ndodhi vrasja e Dafina Havalajt policia ka gjetur veç armës së krimit dhe provave të tjera edhe një bisht cigareje. Sipas verifikimeve të specialistëve mësohet, se ajo duhet të jetë konsumuar nga Dan Hutra, pasi ai kishte vrarë vajzën 22-vjeçare me të cilën bashkëjetonte prej tetë muajve. Pjesa e mbetur e cigares mësohet, se u ka shërbyer hetuesve si një provë e rëndësishme për fajësinë e Dan Hutrës, pasi ekzaminimi shkencor i saj mund të përftojë të dhëna për gjakun dhe ADN-në e personit që ka konsumuar cigaren. Hetimet për shkakun e vrasjes tashmë kanë sqaruar përfundimisht se krimi ka ndodhur pas tentativës së Dafina Havalajt, për t'u larguar nga bashkëjetesa me Dan Hutrën. Sipas policisë, autori i vrasjes së të fejuarës së tij, Dafina Havalaj, 22 vjeçe nga fshati Cërrunjë i Klosit në rrethin e Matit, pas krimit dyshohet se është larguar për në Greqi. Ai dyshohet se veç përpjekjes për t'i shpëtuar arrestimit nga policia është arratisur edhe për shkak të frikës së hakmarrjes nga të afërmit e vajzës, që ekzekutoi me thikë pak ditë më parë. Krimi ndodhi në një banesë, ku çifti jetonte me qira vetëm prej dhjetë ditësh, në afërsi të Fushës së Aviacionit, në Tiranë. Sipas policisë, në vitin 2005 menjëherë pasi kishte vuajtur dënimin për përdhunimin e kunatës së tij, Dan Hutra ishte larguar në drejtim të Greqisë ku kishte qëndruar atje si emigrant i paligjshëm për disa muaj me radhë dhe më pas është rikthyer në Tiranë. Pas kësaj ka ndodhur edhe lidhja e tij me Dafina Havalajn e cila ka braktisur familjen për të jetuar me të sapoliruarin nga burgu.HAKMARRJATë afërmit e Dafina Havalajt, të cilët banojnë në Burrel, janë shprehur se nuk do të hakmerren për vrasjen e vajzës 22-vjeçare. Abdulla Havalaj, babai i vajzës së vrarë me dy thika në Tiranë nga Dan Hutra, ka mohuar mundësinë e hakmarrjes për këtë ngjarje. Gjithsesi, të afërmit e viktimës kanë kërkuar që të veprojë drejtësia duke ndaluar autorin e krimit dhe duke e nxjerrë atë para gjykatës për veprën penale, që akuzohet se ka kryer. Të afërmit thanë se Dan Hutra ka telefonuar nënën e viktimës dhe i ka treguar për krimin.KLD kontroll dënimit të HutrësTIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë tërhoqi dje në Gjykatën e Tiranës, vendimin për lirimin e Dan Hutrës në vitin 2003, pas dënimit të tij me 22 muaj burg, për përdhunimin e kunatës dhe heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës tjetër. Burime nga KLD pohojnë se inspektorët tërhoqën në gjykatë vendimin numër 948 datë 4 nëntor 2003, shpallur nga gjyqtari Altin Shkurti, i cili dënonte me 4 vjet Hutrën, personin që tri ditë më parë masakroi 22-vjeçaren Dafina Havalaj, personin me të cilën bashkëjetonte. Vendimi i tërhequr në gjykatë iu kalua dje specialistëve të KLD-së për ta shqyrtuar atë dhe për të vendosur nëse do të ketë hetim apo jo për gjyqtarin, i cili ka vlerësuar faktin se e dëmtuara heq dorë nga padia dhe e ka pushuar akuzën, që mund ta mbante minimalisht në qeli 10 vjet Hutrën. Për më tepër gjykata në atë vendim, ka argumentuar se i pandehuri është penduar thellë dhe se me dënimin e paktë që do kryejë mund të rehabilitohet dhe t'i rikthehet shoqërisë. Në fakt, ka rezultuar e kundërta, pasi Hutra jo vetëm që nuk është rehabilituar, por sapo i është dhënë mundësia masakroi me thikë bashkëshorten e vet.     fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›