Qeveria, ligj të ri për ankandet, ja ndryshimet
• Qeveria ka miratuar një ligj të ri për ankandet. Kështu për herë të parë, në procedurat e ankandit i jepet e drejta e ankimimit palëve pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.Deri më sot ka pasur një boshllëk ligjor në procedurën e ankimimit për ankandet dhe megjithëse pranë Agjencisë së Prokurimit kanë paraqitur ankesa dhe janë denoncuar shkelje, kjo e fundit nuk mund të ndërhynte në asnjë rast ligjërisht dhe as nuk mund të rekomandonte ndonjë institucion tjetër kompetent, pasi nuk ishte i përcaktuar një i tillë. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja në garë u garantohet e drejta e ankimimit. Por, sipas projektligjit të ri të miratuar nga qeveria "Për ankandin publik", për sa i përket të drejtës së ankimimit avokati i prokurimeve është një garanci më shumë. Sipas nenit 46 të këtij projektligji, kundër vendimit të Agjencisë së Prokurimit publik ankuesi ka të drejtë që nëse agjencia nuk ka shqyrtuar ankimin brenda afatit të përcaktuar, atëherë ankuesi mund të bëjë padi në gjykatë. Por nga ana tjetër theksohet se shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat e ankandit, të lidhjes së kontratës së shitjes publike apo ekzekutimin e detyrimeve sipas kontratës së shitjes nga palët respektive. Por për sa i përket kontratave të shitjes që janë nënshkruar përpara se të hyjë në fuqi ky ligj i ri, ato do të mbeten siç janë.Qëllimi i projektligjit të ri• Miradministrimi i pasurimeve publike • Përfshirjen e çdo individi në blerjen e pasurive publike • Të nxisë konkurrencën mes blerësve • Trajtim i barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në ankand • Transparencë në procedurat e ankandit