Qeveria, ligj për blerjen e organizatave jofitimprurëse
Eljona Ballhysa
Organizatat jofitimprurëse së shpejti do të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Këtë e parashikon projektligji i fundit i qeverisë për ngritjen e agjencisë për mbështetjen e shoqërisë civile. Në këtë projektligj parashikohet miratimi i një fondi të veçantë në buxhetin e shtetit, i cili do t’u shpërndahet OJF-ve nga kjo agjenci, në bazë të konkurrimit. Agjencia do të jetë e varur nga qeveria. Depozitimi në Kuvend i këtij projektligji vetëm 5 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare duket se fsheh përpjekjen e qeverisë për të blerë dhe një ndër “zërat” e pavarur të shoqërisë, siç janë organizatat jofitimprurëse.
Përfituesit
Në këtë draft të qeverisë parashikohet se përfituese të fondeve do të jetë organizatat e shoqërisë civile, të cilat janë të regjistruara dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të një statuti dhe që janë aktive gjatë vitit fiskal. Përjashtim bëjnë partitë politike, sindikatat, institucionet fetare, organizatat politike si dhe organizatat me dobi publike, që përfitojnë fonde publike. Organizatat, për të fituar grante nga agjencia shtetërore, duhet të konkurrojnë me projektet e tyre. Projektet duhet të përmbajnë të dhëna për qëllimin e tyre, objektivat specifike, veprimtaritë, buxhetin dhe rezultatet e synuara. Pasi depozitohen, projekt-propozimet vlerësohen në bazë të përputhshmërisë së tyre me qëllimet e programit për të cilin janë propozuar. Vlerësohet gjithashtu aftësia e kandidatit dhe efektshmëria e veprimtarive përsa u përket rezultateve dhe kostove. Pasi shqyrtohen të gjitha këto kritere, bordi mbikëqyrës miraton kontratën për shpërndarjen e fondeve. Autoriteti financues nuk e bën pagesën përpara vlerësimit të raportit përfundimtar të veprimtarisë dhe bilancin financiar. Çdo projekt i financuar do të monitorohet nga autoriteti financues për zbatimin e veprimtarisë së deklaruar në projekt. Autoriteti financues ka të drejtë që, përveç projektit, të kërkojë informacione shtesë nga kërkuesi i fondit, si gjatë zbatimit të kontratës, ashtu dhe pas vlerësimit të raportit përfundimtar. Pra në projektligj parashikohet qartë se qeveria, nëpërmjet agjencisë që kërkon të krijojë, do të kontrollojë të gjithë veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse që do të kërkojnë të marrin fonde nga buxheti i shtetit. Ky kontroll cenon hapur aktivitetin e organizatave, pjesë të shoqërisë civile.
Agjencia
Në projektligj parashikohet që agjencia do të drejtohet nga një bord mbikëqyrës dhe nga një trupë ekzekutive të përfaqësuar nga drejtori Ekzekutiv. Bordi do të përbëhet nga 9 anëtarë, që zgjidhen nga Këshilli i Ministrave me mandat 4-5-vjeçar, pesë prej të cilëve do të jenë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe 4 përfaqësues të administratës publike. Bordi, në përputhje me strategjitë e zhvillimit të shoqërisë civile dhe në përputhje me dokumentet strategjike të qeverisë miraton programin e granteve. Punonjësit ekzekutivë menaxhojnë grantet duke filluar që nga mënyra e ndarjes së tyre, deri te monitorimi i zbatimit të projekteve të organizatave joqeveritare.
4 Shkurt 2009