Per Vesterberg: “Zhvillimi i zgjedhjeve të lira, kusht për statusin e kandidatit në BE”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Per Vesterberg. Gjatë bisedës kryetari i Parlamentit suedez, Per Vesterberg, pasi nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, shprehu mbështetjen e vendit të tij në forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Kryeparlamentari suedez theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e parlamentar si përsa i përket shkëmbimit të përvojave, ashtu edhe përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, kryerjen e suksesshme të reformave kyçe, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe arritjen e përmbushjen e standardeve integruese. Vesterberg i shprehu kreut të shtetit shqiptar gatishmërinë e Suedisë dhe të institucioneve të saj për mbështetjen dhe ndihmesën e pandërprerë në drejtim të realizimit të aspiratës së saj integruese në familjen e madhe europiane. Presidenti Topi, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, si dhe kërkoi që të inkurajohet nxitja e angazhimit të kompanive dhe të investimeve suedeze në vendin tonë. Po kështu, kryetari i shtetit shqiptar u shpreh se do të mirëpriste ndihmesën dhe mbështetjen suedeze në fushën strategjike të energjisë, bashkëpunimin në fushat e turizmit, infrastrukturës etj. Ndërsa gjatë takimit me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, Per Vesterberg theksoi se zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë nga vendet europiane. Ministrja Bregu nënvizoi faktin se qeveria shqiptare, por edhe forcat e tjera politike në vend po punojnë për të krijuar strukturën e përshtatshme për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Berisha niset drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve
Me ftesë të Komitetit Kongresional, që përbëhet nga 36 senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten, u nisën dje për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve. Kjo ceremoni do të mbahet ditën e enjte, më datë 5 Shkurt në Uashington D.C. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe të administratës së presidentit Barak Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga 160 vende të botës. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni do t’i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë.
4 Shkurt 2009