E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me karburantet, konsumatorët protestojnë kundër çmimit të pandryshueshëm

Nisin protestat qytetare kundër kartelit të karburanteve. Drejtuesit e mjeteve bojkotuan dje furnizimin me karburant

Ervin Koçi

Nën drejtimin e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe të shoqatave të tjera për mbrojtjen e konsumatorit u zhvillua dje një protestë paqësore kundër çmimeve të larta të karburanteve, që janë bërë vërtet një kërcenim për ecurinë e ekonomisë vendase. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, përdorues të automjeteve, që të protestojnë duke mos iu afruar për një ditë pikave të shitjes me pakicë. “ZMQ-ja fton të gjithë drejtuesit e automjeteve të solidarizohen me këtë grevë kombëtare duke u kërkuar që ata të qëndrojnë larg pikave të karburanteve për 24 orë, si mjeti i parë i protestës ndaj karteleve të fundit në Europë”, - deklaroj ZMQ-ja në njoftimin për shtyp të saj. Nëpërmjet kësaj proteste synohet të shprehet pakënaqësia e konsumatorëve ndaj çmimeve të kripura, të cilat vazhdojnë të rrisin gjithnjë e më shumë koston e jetesës. Nga një vëzhgim i iniciuar nga ankesat e vazhdueshme të konsumatorëve, ZMQ-ja arriti në konkluzionin se situata e çmimeve të naftës dhe nënprodukteve të saj është skandaloze dhe se kontrollohet tërësisht nga kartelet që sot veprojnë në këtë treg. Nga vëzhgimi i kësaj zyre është vënë re gjithashtu se kompanitë e naftës bien dakord midis tyre për mbajtjen e një niveli të njëjtë çmimesh. ”Çmimi ulet dhe ngrihet nga një dorë në të njëjtën orë në qindra pika karburanti në të gjithë Shqipërinë”,- citohet nga ZMQ-ja. Sipas saj, në tregun e karburanteve vihet re edhe mungesa e organeve shtetërore në përmbushjen e detyrave që u përkasin, siç është mbrojtja e interesave të qytetarëve.

Tregu vendas

Në një situatë ku çmimi i karburanteve në Shqipëri mbetet i pandryshuar, megjithëse në bursat ndërkombëtare ka pësuar një ulje të konsiderueshme, importuesit me shumicë vazhdojnë të bëjnë të paditurin. Pavarësisht thirrjeve bërë nga shoqata të ndryshme apo nga foltorja e kuvendit për një ulje të çmimeve, duket se importuesit nuk e kanë “prishur terezinë” duke përfituar edhe nga mungesa e sanksioneve nga shteti. Gjatë ditëve të fundit, bursat ndërkombëtare kanë pësuar luhatje të mëdha të çmimit të naftës ndërkohë që në tregun vendas ato vazhdojnë të reflektohen me “hapin e breshkës”. Para dy ditësh çmimi i një fuçie naftë zbriti në nivelin e 52 dollarëve dhe kjo në tregun vendas u reflektua me një ulje prej vetëm tre lekë.

Kostoja reale

Sipas të dhënave, një litër benzinë, javën e kaluar ka dalë nga dogana me një çmim 84 lekë. Në të përfshihet çmimi i blerjes, kostoja e transportit, tatimi mbi vlerën e shtuar, akciza dhe taksa e karbonit. Pavarësisht kostos prej 85 lekësh, po t’i fusim këtu edhe fitimin për tregtuesit, sërish çmimi mbetet tepër i shtrenjtë, pasi në tregun me pakicë karburantet janë tregtuar me 130 deri 135 lekë për litër. Në pikat e tregtimit në Tiranë çmimet e karburanteve pësuan gjatë javës së kaluar një ulje me 5 lekë/litër, duke pasuar uljen e dy javëve më parë gjithashtu me të njëjtën vlerë. Pothuajse në shumicën e pikave të tregtimit të karburanteve në Tiranë çmimet gjatë ditëve të fundit ruajtën të njëjtin nivel: 1 litër naftë 120 lekë, 1 litër benzinë 125 lekë dhe 1 litër euro Diezel 125 lekë. Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare elektronike çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë në kuota të ulëta, duke u shitur dje me 52 dollarë për fuçi. Para dy javësh çmimi i naftës ishte 57 dollarë për fuçi.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›