Konfindustria: “Tregtuesit e naftës na dëmtojnë në 10 mënyra”
Konfindustria prezantoi dje një gjendje alarmante të tregut të karburanteve në Shqipëri. Bëhet fjalë për miliona euro dëm të buxhetit të shtetit dhe xhepit të konsumatorit që është shkaktuar nga abuzimet. Pikënisja e këtij apeli kanë qenë gjendja mjaft e rëndë e tregut të karburanteve në vend, kostot e larta shtesë të këtij tregu, rëndësia e karburanteve për industrinë dhe zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, në një njoftim për shtyp i kërkoi vendimmarrjes politike “ndërhyrjen e menjëhershme institucionale për ndryshimin sa më të shpejtë të gjendjes së tashme që është bërë krejtësisht e papranueshme”. Për të shpjeguar domosdoshmërinë e ndërhyrjes urgjente në rregullimin këtij tregu, Konfindustria paraqiti përfundimet kryesore të vlerësimit të përgjithshëm për kostot shtesë të tregtimit të karburanteve në Shqipëri bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj në muajt shtator-dhjetor 2008. Sipas, të njëjtit burim, janë rreth 8 tipe “Kosto Shtesë”, që biznesi dhe qytetarët shqiptare paguajnë dhe dëmtohen padrejtësisht nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve. Këto kosto ndahen në kosto direkte dhe kosto indirekte. Ndër kostot direkte janë, abuzimi me cilësinë e karburantit, vëllimin në shitje, mospasqyrimin e çmimeve reale, pa llogaritur këtu koston e dëmtimit të makinave nga cilësia jashtë standardeve të kërkuara. Ndër kostot indirekte, Konfindustria ka numëruar ato shëndetësore, mjedisore, buxhetore, për këtë të fundit i referohet buxhetit të shtetit nga neglizhenca e Inspektorateve përkatëse që duhet të kontrollojnë këtë treg. Kostot mendohet se janë në shifra prej qindra miliona eurosh.
2 Dhjetor 2008