E Diel, 1 Nëntor 2026

Korderi i premton Metës: “Do të monitorojmë nga afër zgjedhjet e 2009-s”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, gjatë pjesëmarrjes së tij në Këshillin
e Partisë Socialiste Evropiane që zhvillohet në Madrid, ka realizuar takime me përfaqësues të lartë të së majtës europiane. Meta ka patur takime të veçanta me Martin Schultz, kryetar i Grupit Parlamentar Socialist në Parlamentin Europian; me Alfred Gusenbauer, ish–kancelar dhe lider i Partisë Socialdemokrate austriake; me Elio Rupo, udhëheqës i socialistëve belgë; me Filip Korderi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Socialistëve Europiane. Meta ka biseduar me ta për situatën politike në vend, për gjendjen e të majtës, si dhe për problemet që sjell në administrimin e zgjedhjeve Kodi i ri Zgjedhor. Në takimin me kryetarin e LSI-së Meta, sekretari i Përgjithshëm i Socialistëve Europianë, Korderi, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me pasojat e administrimit të zgjedhjeve sipas Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Filip Korderi dha mbështetjen e tij për përpjekjet e OSBE-së për transparencë, pluralizëm dhe gjithëpërfshirje në administrimin e zgjedhjeve, ashtu siç shprehet në Raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2005. “Partia e Socialistëve Europianë mbështet një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri dhe do të monitorojë nga afër zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009. Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat sociale dhe ekonomike, - vazhdoi Korderi, - dhe të mos ndalë përpjekjet për integrimin në Bashkimin Europian, si një prioritet kryesor për liderët politikë shqiptarë.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›