Rama takohet me personalitete të së majtës europiane
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka marrë pjesë dje në punimet e Këshillit të Partive Socialiste Europiane që po zhvillohet në Madrid të Spanjës. Rama ka takuar Presidentin e Internacionales dhe kryetarin e PASOK-ut, Papandreun, i cili e uroi për zgjedhjen si kryetar i Komisionit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore. Rama e ftoi Papandreun në takimin e parë të Komisionit që do të zhvillohet në fillim të 2009-s. Midis dy liderëve është folur për programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste. Kreu i PS-së takoi gjithashtu Luis Ajalën, sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, ku u fol për organizimin e takimeve në Tiranë dhe për reformën e re të Internacionales Socialiste. Gjatë punimeve të Këshillit, Rama u takua me Martin Shultz, kryetar i Grupit Parlamentar të PSE-së, të cilin e informoi për reformën elektorale, teksa Shultz shprehu interes për të ardhur në Tiranë, ndërkohë që Rama e ftoi në takimin e Komisionit të Internacionales Socialiste.
Tjetër takim ishte ai me kryeministrin bullgar dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Socialiste bullgare, Sergei Stanishev, i cili premtoi se do të dërgojë në Tiranë një ekip për disa çështje të programit të ri qeverisës të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Edi Rama takoi gjithashtu edhe kancelarin austriak Alfred Gusenbauer, Valter Veltronin kryetar i së majtës italiane dhe Paul Rasmusen president i PSE-së. Fjala e Edi Ramës është planifikuar nga organizatorët për t’u mbajtur nesër paradite, ndërsa më pas Rama do të ndërpresë qëndrimin në Madrid për shkak të axhendës në Tiranë.
2 Dhjetor 2008