E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me pronat, pranga 5 zyrtarëve të AKKP-së

TIRANË- 5 zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë rënë sot në prangat e policisë. Ata akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, e kryer në bashkëpunim. Në kërkim edhe një tjetër person.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i zyrës së regjistrimit të AKKP në Tiranë, Bledar Dervishaj 35 vjec.

Zyrtarët e tjerë të arrestuar janë Ali Aliaj, 50 vjec, ish Përgjegjës i Sektorit Juridik në Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë. Dhimitër  Papa, 49-vjec, ish topograf i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, aktualisht me detyrë hartograf pranë Zyrës Vendore të Rregjistrimit të
Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Merita Gjinali, 49 vjec, ish topografe në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.

Po në kuadër të këtij operacioni u bë dhe arrestimi i shtetasit: Niazi Ademi, 48 vjec, topograf i liçensuar, aktualisht punonjës Ujësjellësi Durrës, i cili akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve dhe ekspertim i rremë”.

Në deklaratën e policisë së Shtetit sqarohet se, finalizimi i këtij operacioni, të quajtur “Pronë e Spostuar”, u bë i mundur pas një hetimi 5 mujor të Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore, Task-Forcë, Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Të arrestuarit akuzohen se do t’i kthenin një familjeje një pronë-shtet në bregdet me sipërfaqe prej 79 ha.
"Këta shtetas akuzohen se në bashkepunim me njëri tjetrin, duke përfituar nga pozita zyrtare dhe nëpërmjet falsifikimeve, i kanë kthyer trashëgimtarëve të familjes “Jenisheri” një pronë prej 79 dynym, duke e spostuar pronën e kthyer nga vendndodhja reale në bregdetin e Komunës Gos Kavajë, si dhe duke ndryshuar dhe zërin kadastral nga tokë ranishte në arë", thuhet në deklaratën e policisë.

Policia sqaron se prona në fjalë është sekuestruar, ndërsa sqarohet se këta persona kanë kryer dhe transaksione shit-blerjeje të tokës, me çmime shumë herë më të ulëta se vlera reale e tregut të tokës në këtë zonë.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Abuzimi me pronat, pranga 5 zyrtarëve të AKKP-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›