E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me pronat, pranga zyrtarëve të AKKP-së

TIRANË- 4 zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë rënë sot në prangat e policisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës e korrupsionit, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i zyrës së regjistrimit të AKKP në Tiranë, Bledar Dervishaj.

Në deklaratën e policisë së Shtetit sqarohet se, finalizimi i këtij operacioni, të quajtur “Pronë e Spostuar”, u bë i mundur pas një hetimi 5 mujor të Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore, Task-Forcë, Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Zyrtarët e tjerë të arrestuar janë Merita Gjinali, Dhimitër Papa, ish topografë në AKKP dhe Njazi Ademi, topograf, i licensuar si ekspert.

Burime zyrtare të policisë sqarojnë se është shpallur në kërkim Altin Ceni, ish-juristi i AKKP, Tiranë dhe Ali Aliaj përgjegjës për sektorin juridik, mbi të cilët rëndon e njëjta akuzë.

Të arrestuarit akuzohen se do t’i kthenin një familjeje një pronë-shtet në bregdet me sipërfaqe prej 79 ha.

Këta shtetas akuzohen se në bashkepunim me njëri tjetrin, duke përfituar nga pozita zyrtare dhe nëpërmjet falsifikimeve, i kanë kthyer trashëgimtarëve të familjes “Jenisheri” një pronë prej 79 dynym, duke e spostuar pronën e kthyer nga vendndodhja reale në bregdetin e Komunës Gos Kavajë, si dhe duke ndryshuar dhe zërin kadastral nga tokë ranishte në arë", thuhet në deklaratën e policisë.

Policia sqaron se prona në fjalë është sekuestruar, ndërsa sqarohet se këta persona kanë kryer dhe transaksione shit-blerjeje të tokës, me çmime shumë herë më të ulëta se vlera reale e tregut të tokës në këtë zonë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›