E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me tenderin e ujësjellësit, 2 në pranga

 

ELBASAN – Abuzimi 4 milionësh në një tender për ndërtimin e ujësjellësit, çon në pranga ish-kryekomunarin e Polisit, Hasan Terziu. Një operacion i koduar “SOPOTI 2”, i ndërmarrë dje sektori i antikrimit ekonomik në Elbasan ka arrestuar dhe administratorin e firmës së ndërtimit “Reto” shpk, Tomorr Hidri. Të dy janë vënë në pranga, ndërsa në hetim në gjendje të lirë është dhe kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Begaj, i cili në vitin 2004 ishte mbikëqyrës i ndërtimit në një ujësjellës që do të ndërtohej në fshatin Gush Patë të komunës Polis. Paratë në atë kohë ishin akorduar nga qeveria për të ndërtuar një ujësjellës, por 4 milionë lekët nuk shkuan kurrë në destinacion. Ky fakt ka bërë që hetuesit të dyshojnë, se të tre personat kanë abuzuar për të përfituar nga kjo shumë. Tenderi që duhej të zhvillohej për të ndërtuar veprën në favor të banorëve të zonës nuk është kryer 4 vjet më parë, kur dhe u akordua fondi. Ndërkohë që Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po grumbullon ende materiale, që i përkasin kohës kur Hasan Terziu ishte kreu i komunës. Tenderi për të cilin akuzohen tre personat ka qenë  i pjesshëm dhe sipas informacioneve zyrtare nga ana e policisë së Elbasanit, ai nuk është zhvilluar deri në fund, por të tre personat kanë përvetësuar paratë e akorduara nga shteti për kryerjen e këtij investimi. Hetimet po kryhen dhe për të gjetur nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë abuzim, ndërsa pritet që të japin dëshmitë e tyre të akuzuarit. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›