E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha të paktën të kishte heshtur

 

Andis Harasani

Ndjej gjithmonë një trishtim të thellë sa herë mendoj ripërsëritjen e të njëjtave histori shqiptare, por të përmbysura. Ajo që është lart zbret poshtë. Ajo që duket e ndritshme, merr të gjitha nuancat e të zezës së thellë, çfarë ishte komuniste ortodokse, shndërrohet në të djathtë ekstreme. Çfarë ngjante heroike, shndërrohet në të kundërtën e saj, çfarë ishte e mirë bëhet e keqe, çfarë kishte moral, bëhet anti. Madje, kështu ndodh edhe në mënyrë të anasjelltë. Edhe atëherë kur premtohet dhe tregtohet për mall i ndryshëm, e njëjta fytyrë, e njëjta fizionomi, e njëjta filozofi dhe frymëzim politik.
Nëse do të flitej për kontraste në politikën shqiptare, padyshim Sali Berisha, ish-president i djeshëm dhe kryeministër i sotëm, është padyshim shembulli klasik. Dhe jo vetëm një shembull, por dhe një arsye më tepër për trishtim dhe dëshpërim. Si politikan, Sali Berisha ka rënë rregullisht në gropat që u ka hapur të tjerëve. Eshtë akuzuar për dashuri të skajshme për diktatorin e diktaturën, ka shkuar në skajin tjetër të luftëtarit kundër tyre. Ka himnizuar lirinë, është kthyer në gardian të saj. Ka folur për korrupsionin dhe sot është akuzuar si simbol i një sistemi të tërë okult të korruptuar; ka folur kundër privatizimit të Telekom-it, tenderave të KESH-it, ndërtimit të TEC-eve, aeroportit, fabrikave të çimentos e kështu me radhë dhe ka prerë shiritat e përgatitur nga kundërshtarët e tij. E kështu pa fund! Ka folur për fëmijë “banditë” të kolegëve të tij “kriminelë” në Kuvend dhe në qeveritë e djeshme dhe sot dëgjon gjithë ditën t´i përmenden fëmijët e tij.
Përgjithësisht, nuk ka diskutim tjetër publik që në një mënyrë apo në një tjetër të mos përmenden vajza dhe djali i tij. Nuk ka asnjë nga dosjet më të nxehta të korrupsionit që të mos kenë shënuar emrin e tyre edhe ata. Nuk ekziston, për fat të keq, një mundësi praktike që ta shpëtojë Berishën nga bindja e plotë e publikut se në shumë e shumë punë të pista apo të pastra, nuk janë përfshirë të dy fëmijët e tij. Nuk ka mundësi të shmangë bindjen e plotë të biznesit shqiptar apo të huaj që korridori i vetëm i hapur për sukses në biznes nuk kalon nga dera e zyrës legale të së bijës. Si qytetar i qeverisur nga ky individ, do të doja shumë që ato akuza të mos ishin të vërteta. Do të doja shumë që kryeministri që më qeveris dhe mua, që më ka premtuar një Shqipëri normale ku të jetoj me familjen time, të afronte argumente të fortë për të kundërtën e kësaj bindjeje gjithmonë e më të përgjithshme. Një mundësi Berisha e kishte në seancën maratonë të së hënës. Fatkeqësisht ai zhgënjeu edhe me optimistët, edhe dishepujt e tij fanatikë; edhe kësaj radhe ai nuk iu përgjigj akuzave, por akuzoi, nuk foli për të vërtetën, por u soll përreth të njëjtës teknologji balte: në jam unë i keq, edhe ju jeni të tillë! Kryeministri nuk hodhi asnjë rreze drite mbi të djeshmen e afërt, mbi marrëdhënien e tij të pranuar si të tillë me Fazlliçin, por kërkoi ta Damirizojë dhe Zemunizojë të gjithë politikën shqiptare.
Kryeministri humbi një shans, pavarësisht se nuk mund të bënte ndryshe, pavarësisht se ndoshta planifikon që në një të ardhme të largët – ndoshta dhjetë vjet më pas – të kërkojë ndjesë. Siç ka bërë, për shembull me “gabimin” e tij për piramidat kriminale.
Deri në vitin 2005, unë, por dhe shumica dërmuese e shqiptarëve nuk e kishim dëgjuar të përmendej emri i Argitës dhe Shkëlzenit. Deri në vitin 2005 nuk ishte përmendur as emri i Damir Fazlliçit. Kishim dëgjuar për ca punë të çuditshme të Lulit matanë urës së Ibrit apo ca histori po të çuditshme arratish të atyre që do t´i bënte më pas drejtorë të rëndësishëm apo dhe ministra. Por kaq! Asgjë më shumë.
Po deri në vitin 2005, më duhej shumë kurajo, më duhej shumë vetëpërmbajtje të dëgjoja sesi kryeministri më quante Andis Nano. Më duhej shumë durim t’i shpjegohesha urtësisht revoltimit të babait tim, koleg me kryeministrin e sotëm prej 20 vjetësh, se kryeopozitari bënte opozitë mashtruese. Më duhej të fshija trishtimin tim të thellë që në një mijë mënyra, në një mijë forma dhe thelbe, të hapur apo të fshehtë, sipas paradigmës së poshtër, dëshpëruese dhe ballkanike, politika shqiptare paraqitej si grua e përdalë. E megjithatë shpresoja për ndryshim, por natyrisht jo në ndryshimin e Doktorit.
Atëherë dhe sot, me shpresë tek vendimi i sovranit popull në tokë dhe Perëndisë në qiell, vazhdova të besoj se këto - sovrani dhe Perëndia - do të ishin në të njëjtën kohë prokurori dhe gjykatësi i Sali Berishës. Thellë–thellë mendoj ende se ajo çka ndodhi në korrikun e tre viteve më parë ishte një mundësi më shumë për të gjithë ne që të shihnin të keqen dhe paaftësinë ngjethëse të njeriut që më së paku mban peng të vërteta ngjethëse për këtë vend.
Thellë–thellë besoja se e keqja ka një cikël dhe detyrimisht, si një shenjë e pagabueshme e fatit, ajo duhej të konsumohej deri në fund. Do të ndodhte kështu që të mos përsëritej nesër në kurriz të fëmijëve tanë dhe që ne duhet të duronin këtë të keqe në emër të sakrificës për ta. Megjithatë më duhet të pranoj se Berisha, në një model jo të frymëzuar nga demokracia, është padyshim një politikan virtuoz. Ai është përkthimi klasik në shqip i poezisë klasike sovjetike me Parti dhe Lenin. Ai është e djeshmja dhe e sotmja e saj. Do të jetë dhe e nesërmja e afërt. Askush tjetër në partinë e tij nuk mund të ketë emër, fytyrë apo mendim të vetin. Berisha këtë e di. Ndaj në seancën e të hënës në Kuvend fyeu politikën dhe gjithë popullin shqiptar me shfaqjen qesharake dhe tragjike të talljes së tij të radhës. Kur guxoi të akuzojë pikërisht nga banka ku ishte ngjitur si i akuzuar. Kur ende mendon dhe ëndërron për skajin e litarit që do të lerë jashtë e do ta tundin po klonet e tij politikë. Klone që ngjallin vetëm keqardhje. Klone që janë kaq identikisht të ngjashëm me memecin Lufter që i vjen herë pas here goja. Ndaj ka shumë arsye për keqardhje. Ndaj Shqipëria është e trishtuar, sepse ngjan e dënuar edhe për disa muaj të tjerë të jetojë nën hijen e rëndë dhe pompoze të kryeministrit. Që të hënën deri pasmesnate humbi sërish një shans. Në mos të kurajos së munguar për të thënë të vërtetën, të aftësisë për të mbyllur gojën dhe për të mos detyruar gjithë gojët-vota të tij që të bënin atë paradë të shëmtuar suksesi. Njëlloj si daullet e festës që bien në zi. Ai nuk mundi as të kërkojë falje në mënyrë hipokrite. Sepse nuk mund ta bëjë dot. Sepse për të nuk ka më kthim prapa, duhet të ketë vetë ikje të tij. Sa më parë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›