E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i gjobave ose hajdutët me maska

Nikollaq Neranxi 

Dy ditë më parë më vizitoi një sipërmarrës shumë i fuqishëm nga vendi fqinj, Italia. Më kishte thënë se ishte kurioz të njihte Shqipërinë, madje ndjehej në faj që nuk kishte mundur ta bënte për kaq vite, edhe pse prej dy vitesh kishte një distributor shumë të fuqishëm të mallrave të tij këtu në Tiranë. E prita mikun me të gjitha nderet, sjellje kjo tipike e kulturës së hershme të shqiptarëve (mbase një nga cilësitë më të vyera me të cilat mund të krenohemi), por edhe si një përfaqësues i popullit në parlamentin e Shqipërisë. Gjatë bisedës së gjatë dhe me problematikë të pasur, më duhej që të rrumbullakosja shumë përgjigje, teksa miku më kërkonte deri në detaje që të mësonte sa më shumë rreth vendit tim dhe zhvillimeve gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Fillova t’i tregoj për zhvillimet politike të 18 viteve të fundit, duke menduar se vetëm kështu miku biznesmen mund të mësonte më shumë rreth shqiptarëve, të cilët edhe pse nguronte ta thoshte, ai i dëgjonte shpesh teksa lakoheshin për keq në kronikat e zeza të lajmeve në vendin e tij. Por reagimi i tij, në një moment të kësaj bisede qe befasues: “Nuk më intereson se sa herë ka ardhur në pushtet Nano dhe Berisha. Mundohu të më flasësh si një njeri i biznesit, jo si politikan. Më thuaj se si ka ecur sipërmarrja e lirë në këto vite ku ju zbuluat më në fund ekonominë e tregut?! Sa përkrahet kjo sipërmarrje dhe çfarë politikash ndiqen që ajo të bëjë progres, pasi vetëm ky është treguesi që më bind se ju po zhvilloheni dhe keni premisa të ecni përpara për t’u integruar. E natyrisht, mbasi të mësoj mbi këto fakte, do të arrij të kuptoj se sa të mirë apo sa të këqij kanë qenë liderët e politikës deri tani në vendin tuaj”. Mjaftoi ky reagim i mikut tim që unë t’i jepja menjëherë të drejtë dhe natyrisht të rivlerësoja përgjigjet e mia, në interes të kureshtjes së tij. Kishte të drejtë, ndonëse nuk më tha ndonjë gjë të re. Po ku ta dinte miku nga përtej detit, se tek ne, si çdo gjë tjetër që funksionon mbrapsht, edhe ekonomia drejtohet nga politika dhe vihet në shërbim të saj sikur është vasale e bindur dhe mjet vetëm për politikën e jo për ekzistencën kombëtare në tërësi. Ku ta dinte miku im, që qeveria jonë mburret se ka arritur të sigurojë një buxhet suplementar, i cili do të shpenzohet jo për të siguruar një jetë më të mirë të qytetarëve të saj, por në fakt për një qëllim tjetër, atë të mbajtjes së pushtetit dhe të jetëgjatësisë së një kabineti. Dhe fjala është për ato para që në shumicën e tyre, qeveria ua merr qytetarëve të cilëve pretendon se u shërben, por në fakt i sundon.
Miku im i ardhur nga një vend i afërt me vendin tonë, as që mund ta merrte me mend se ky vend i varfër, i cili për nga treguesit ekonomikë, nuk u bën dot karshillëk as vendeve të varfra të Afrikës, ka taksat më të larta në Evropë. Se njerëzit e biznesit shihen nga politika me xhelozi dhe ka kohë që ka filluar ndaj tyre gjuetia e shtrigave. Çfarë t’i thosha unë mikut tim nga Italia, se këtu ka të paktën tre vjet që po lulëzojnë disa biznese, vetëm e vetëm se janë të përkrahur nga njerëzit e veshur me pushtet? Se një sipërmarrës i ndershëm që paguan të gjitha detyrimet në shtet dhe punëson qindra njerëz, vuan konkurrencën e pandershme të atyre gjasme biznesmenëve, të cilët kalojnë traun e doganës pa paguar asnjë detyrim, ndërkohë që dalin në treg  automatikisht 20% më lirë, duke vënë në pikëpyetje aktivitetin e njerëzve të ndershëm dhe që e kanë rritur biznesin e tyre përmes sakrificash të panumërta të këtij tranzicioni. Kjo kategori e ndershme biznesi, me sakrifica të mëdha startuan një sipërmarrje modeste që në fillim të viteve ’90-të e u mbajtën fort me thonj që të mos ndërprisnin aktivitetin edhe në vitin e vështirë 1997.
Mendimet e këtij refleksioni m’i ndërpreu miku nga Italia, i cili vijonte me pyetje: “Po për krizën financiare që ka mbërthyer botën çfarë masash paraprake ka marrë qeveria e Berishës”? As për këtë pyetje nuk kisha përgjigje, pasi kriza ka kohë që kërcënon pas derës çdo sipërmarrës të ndershëm, i cili nuk do t’ia dijë se cila qeveri vjen në pushtet dhe kujt duhet t’ia gjesh anën që të mos të të ngacmojnë në punën tënde të ndershme.
“Besoj se qeveria duhet të ketë propozuar një paketë të re fiskale që ndihmon sipërmarrjen vendase apo jo?”, më pyeste miku. “Kam dëgjuar për iniciativën ‘Shqipëria një euro’ që aplikohet për çdo biznesmen të huaj që do të investojë në Shqipëri. Punë me mend. Bravo! Kjo do të thotë që biznesmenët vendas kanë shumë më tepër lehtësira apo jo?”
Aty filloi gati-gati të më vinte turp që isha pjesë e këtij parlamenti, i cili me fuqinë e kartonit dhe të numrave që çuditshëm arrin t’i sajojë falë ca aleancave fantazmë, arrin të miratojë diku nga mesi i natës ligjin e gjobave për bizneset shqiptare, duke i dënuar ata me vdekje. Nuk durova dhe e pyeta: “Ke dëgjuar ndonjëherë për ligjin e gjobave”? – “Jo, çfarë është?” – “E ka shpikur qeveria jonë më 17 prill 2007. Ky ligj i jep mundësi Ekzekutivit që të grumbullojë gjoba aforfe, para se biznesi të ketë të drejtën ligjore që të ankohet për drejtësinë e këtyre gjobave. E thënë më qartë, nëse një punonjës i administratës shtetërore mund të bëjë një gabim njerëzor, duke i vënë gjobë një biznesi le të themi 650 milionë lekë të vjetra, ai do të paguajë 40% të gjobës dhe detyrimin doganor, pavarësisht se e drejta është nga ana e tij”. Gjithë pritshmëria e mikut në ato momente u shemb si një kështjellë prej rëre. Ai në fakt e dinte mirë se ne kemi vuajtur 50 vitet e gjata të diktaturës dhe mezi pritëm ditën kur të ishim të lirë, kur i afti të mos ishte më i barabartë me të paaftin. Ai kishte dëgjuar shumë për vitin famëkeq ‘97 dhe maskat që mbinin mbas shkurreve dhe me shprehje të pikëlluar më tha: “Me kaq sa po më thua ti mor mik, unë po kuptoj vetëm një gjë, se sot maskat e dikurshme të ‘97-ës qenkan zëvendësuar mrekullisht nga qeveritarë me maska, pasi një vjedhje të tillë të justifikuar bukur nga një ligj antihuman, nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Të vësh fatin e biznesit tënd në duart e një punonjësi tatimor, i cili me siguri është i politizuar, kjo është gjëja më pasens që mund të ekzistojë”.
Ishte e tepërt t’i pohoja se kishte të drejtë, ndërkohë që ideja për t’i folur me optimizëm për vendin tim dhe për të ardhmen e tij, m’u largua menjëherë. Të paktën të mendonte që qeveritarët shqiptarë janë të papërgjegjshëm, dhe këtij konkluzioni të mos i shtonte edhe faktin tjetër se shqiptarët (madje edhe ata që janë në parlament) qenkan ca budallenj që nuk dinë se në ç’mënyrë të pistë po luhet me fatin e tyre. Duke u ndarë miku më tha: “Herën tjetër në Parlament, mos harro t’u kujtosh qeveritarëve tuaj shprehjen e famshme të Ludwig Edler Von Mises: “Ekonomia e tregut nuk ka pse të respektojë kufij politikë. Fusha e saj e veprimit është bota mbarë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›