E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv makinës së futbollistit

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Makina e futbollistit të ekipit të Elbasanit, Armand Memetaj, është shkatërruar mëngjesin e së martës nga një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Disa orë më pas, autorësinë e këtij krimi e pranoi miku më i ngushtë i tij, ish-futbollisti Gjergji Gjika. Ai pohoi se kishte vënë lënde plasëse, që përmbante nitrat amoni dhe ishte përgatitur me naftë. Burime të policisë bënë të ditur se me akuzën e “shkatërrimit të pronës” është arrestuar ish-futbollisti Gjika. Ndërsa motivet e kësaj ngjarjeje, që tronditi rreth orës 01:30 të mëngjesit qytetin e Elbasanit, janë ende të paqarta. Sipas policisë, makina tip “Benz” me targë El 5048 B, përdorej nga futbollisti Memetaj, i cili është njëkohësisht edhe student në degën e italishtes në Elbasan. Gjithashtu, vetura përdorej edhe nga babai i tij, Gëzim Memetaj, i cili njihet në qytet si kambist. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në lagjen “Luigj Gurakuqi”, vetëm pak metra larg selisë së PD-së së Elbasanit. Shpërthimi që tmerroi banorët e pallatit ku ishin parkuar makinat, alarmoi policinë. Kjo pasi fillimisht u dyshua se eksplozivi ishte vendosur në selinë e PD-së. Specialistët e sektorit të krimeve të rënda u futën së pari në ambientet e kësaj godine, dera e së cilës u gjet e hapur. Por ata konstatuan se nuk kishte ndodhur ndonjë shpërthim brenda selisë. Më pas, një nga ekspertët e policisë të cilët nisën të vëzhgonin ambientet jashtë godinës, konstatoi mjetin e dëmtuar. Sipas policisë, lënda plasëse ishte vendosur në parafangon e djathtë të makinës, e cila është dëmtuar pjesërisht së bashku me një automjet tjetër që ishte parkuar ngjitur me të. Motivet e kësaj ngjarjeje ende nuk bëhen të ditura nga policia. Ndërkohë që edhe vetë familja e dëmtuar ka shprehur habi para grupit të hetimit. Ata kanë pohuar se me të arrestuarin kishin miqësi të ngushtë dhe hyrje e dalje familjare. Futbollisti 25-vjeçar Memetaj ka mohuar ndonjë konflikt të mundshëm me 28-vjeçarin Gjika. Ai ka ngritur supet për shkakun që mund ta këtë shtyrë atë të kryejë një veprim të tillë. Ndërkohë, për motive që ende nuk dihen, ngjarja është klasifikuar e rëndë. Ajo i ka kaluar për hetim sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Elbasanit, dhe jo sektorit të krimeve kundër pronës. Policia e Elbasanit ka nisur tashmë mbledhjen e dëshmive të personave, të cilët janë gjendur si kalimtarë afër vendit ku ndodhi shpërthimi. Pasi u identifikua pronari i mjetit të dëmtuar, policia thirri në ambientet e saja Gëzim dhe Armand Memetaj. Postoblloqe të shumta u ngritën në qytet me qëllim prangosjen e autorit. Pas dy orë kontrollesh, policia ndaloi përgjatë bulevardit kryesorë automjetin Volsvagen me tragë EL 4892 A, që drejtohej nga ish-futbollisti Gjergji Gjika. Blutë kryen një kontroll në mjetin e tij, ku iu gjetën dy thika dhe disa mbështjellëse të lëndës plasëse, e cila dyshohet të jetë përdorur nga ai për shpërthimin e ndodhur. Gjika u shoqërua për t’u marrë në pyetje në polici. Mësohet se ai ka pranuar vendosjen e eksplozivit në makinën e Memetajt, por nuk ka dhënë detaje të tjera për motivin e veprimit të tij. Futbollisti i kontaktuar dje me telefon pohoi se Gjikën e kishte shok të ngushtë dhe se mes dy familjeve kishte marrëdhënie shumë të mira. Gjergji Gjika është djali i ish-futbollistit të madh të Elbasanit, Mihal Gjika. Ai punon në një aktivitet privat në qytetin e Elbasanit dhe nuk merret më me futbollin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›