E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, nxënësit rikthehen në klasën me tavan të shembur

 

KURBIN - Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, nxënësit e klasës së katërt në shkollën e Shullazit në Kurbin, vijuan dje mësimin nën të njëjtin tavan, gjysmë të shembur. “Siguria” e dhënë nga stafi akademik i shkollës, bëri që fëmijët, ndonëse të frikësuar dhe ende në ethet e panikut të pasdites të së hënës, të zhvillojnë mësim në të njëjtin ambient. Më shumë të përqendruar te muri harta-harta, gjysmë i shembur e gjysma gati për të rënë, 26 fëmijët e kësaj klase “dëgjuan” shpjegimin e një mësuesi tjetër që zëvendësoi atë që i kishte ata në kujdestari. Mësuesja e tyre, Nexhmie Ahmeti ndodhet ende në Spitalin Ushtarak. Ndonëse e ka kaluar rrezikun për jetën, ajo ende nuk e ka marrë veten për mësimdhënie. Nxënësit e klasës së katërt, mes të cilëve edhe fëmija i saj, ende e kanë para sysh tmerrin, kur tavani u shemb dhe i ra në kokë mësueses, që po u shpjegonte mësimin. Për këtë ngjarje mësohet, se Prokuroria e Kurbinit ka nisur hetimet. Ekspertët do të shikojnë rikonstruksionin e shkollës, cilësinë e punimeve, si dhe të dhëna të tjera teknike. Por kjo duket se është disi e ndërlikuar, për shkak se rreth dy vite më parë soletës së shkollës njëkatëshe i është vënë eksploziv nga një ish -mësues. Soleta pësoi dëmtime dhe mori çarje. Kryetari i Komunës së Milotit, Vlash Gega pohoi se janë duke insistuar te Ministria e Arsimit për të siguruar fonde, për të ndërhyrë sa më shpejt të jetë e mundur për të kryer rikonstruktimin e kësaj godine. Sipas tij, pikërisht për këtë shkak nuk është ndërhyrë ende në klasën, ku ndodhi ngjarja e madje nxënësit janë lejuar sërish të bëjnë mësim nën çatinë gjysmë të rënë. Megjithatë, kryekomunari siguroi se pjesa e tavanit është parë me kujdes dhe nuk ka rrezik shembjeje.                            r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›