E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i ri Zgjedhor dobëson demokracinë

Claude Moniquet* 

Dy partitë dominante në skenën elektorale në Shqipëri, Partia Demokratike e Kryeministrit Berisha dhe Partia Socialiste e Edi Ramës, janë duke organizuar në mënyrën më absolute një ngërç elektoral. Kjo po ndodh nën një indiferentizëm total në një pjesë të Europës, e cila edhe njëherë po tregon se ka një memorie të shkurtër dhe rrezikon ta paguajë çmimin…
Dy javë më parë, ne publikuam në media një analizë të reformës së kodit elektoral që ka qenë duke u përgatitur për muaj të tërë, i cili në optikën tonë dobëson demokracinë. Le ta përmbledhim shkurtazi këtë analizë. Çështja kryesore është plani për të prezantuar zgjedhje proporcionale rajonale (me ndryshimin e pragut duke lejuar zgjedhjen e një deputeti mes zonave elektorale) që të “de-personalizojnë” votën (një votues do të zgjedhë një parti në vend të kandidatit), që të detyrojnë partitë të grumbullojnë të paktën 140 kandidatë (70 në kontekstin e koalicionit), gjithashtu që të vendosin “Komisionin Qendror të Zgjedhjeve” nën kompetencat e Ministrisë së Brendshme.
Disa nga këto reforma do të ishin të diskutueshme edhe në demokracitë e vjetra. Në një vend i cili është bërë demokratik në kohët e fundit, i cili ka përjetuar momente të mëdha dhune, i cili është pre e vjedhjes së votës dhe korrupsionit, dhe i cili po kalon gjendje ekonomike dhe sociale të vështirë, këto reforma janë thjesht katastrofike. Në fakt ashtu siç kemi shkruar, në këtë rast kemi të bëjmë as më shumë dhe as më pak se me vendimin e dy partive dominuese për të eliminuar gjithë konkurrentët, dukë hequr qafe partitë e vogla, të cilat nuk janë pjesë e tyre dhe të ndajnë mes tyre pushtetin në vitet e ardhshme.
Kështu rrjedhja e ngjarjeve qëkur ne kemi shkruar për këtë çështje tregoi se ne kishim të drejtë. Disa ditë më parë, PD dhe PS sajuan një komision qendror zgjedhor sipas interesave të tyre, duke marrë për veten e tyre shumicën e vendeve. Kështu, në një komision që ka 7 anëtarë, 2 do të caktohen nga PD, 2 nga PS, ndërsa 2 do të caktohen nga partitë e vogla, por duhet të miratohen në seancë plenare (që do të thotë që këto vende do t’i rezervohen satelitëve të partive dominuese) dhe i shtati do të zgjidhet me konsensus mes PD dhe PS.
Një nga pasojat e para të këtij vendimi do të jetë që LSI, një grup social-demokrat pro evropian, e cila është sot forca kryesore e një opozite të pavarur, thjesht do të përjashtohet nga ky komision. Kjo nuk është pa rëndësi kur dihet fakti se LSI udhëhiqet nga Ilir Meta, i cili ishte kryeministër në periudhën tetor 1999 - shkurt 2002, e më pas ministër i Punëve të Jashtme e zv.kryeministër dhe gjatë mandatit të tij vendi bëri përparimin më të madh.
Dy gjëra mund të thuhen. E para, dy parti që nuk përfaqësojnë shumicën e votuesve po përpiqen të monopolizojnë jetën politike në vend. E dyta, që është më serioze, këto dy parti janë përfshirë nga afër ose nga larg në të gjithë skandalet e korrupsionit që kanë njollosur jetën politike në këtë vend të vogël, në mënyrë të veçantë gjatë 5 viteve të fundit. Disa nga këto skandale kanë patur jehonë të përbotshme, siç ishte afera e errët e trafikimit të armëve kineze për në Afganistan, e cila u zbulua në mars, pas një “aksidenti” që mori jetën e dhjetëra personave dhe që plagosi rreth 300 të tjerë.
Duhet kujtuar gjithashtu se frymëzuesi dhe pronari kryesor i kësaj reforme, “demokrati” dhe kryeministri aktual Sali Berisha, ka qenë një ish-zyrtar i Shqipërisë komuniste dhe ishte presidenti i Republikës në mars 1997, kur shpërtheu skandali i piramidave, një afere gjigande korrupsioni (që atëherë) e cila e dëmtoi popullsinë dhe e shtyu vendin drejt kaosit dhe luftës civile. Afërsisht 2000 shqiptarë u vranë në javët e rrëmujës. SHBA, Italia dhe Gjermania u duhej të realizonin evakuimin e qytetarëve të huaj dhe situata në Shqipëri u komprometua për një kohë të gjatë.
Europa e sotme duket se do të lejojë që të sillet si Zot edhe një herë tjetër. Po këtë herë cili është çmimi që duhet paguar?

* Presidenti i Qendrës Evropiane për Siguri dhe Inteligjencë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›