Lirohet plaku që tentoi të vrasë, reagon policia
KURBIN - Gjykata e Kurbinit vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një 72-vjeçar, i cili akuzohet për tentativë vrasje dhe armëmbajtje. Dy javë pas ngjarjes, Pjetër Pema la dje ambientet e paraburgimit dhe u nis në banesën e tij në fshatin Gjol i Zi i Komunës së Fushëkuqes. Më 12 tetor, ai tentoi të ekzekutonte për çështje pronësie bashkëfshatarin e tij, Tomë Lala. Pas vendimit të Gjykatës së Kurbinit ka reaguar policia. Kjo e fundit bëri të ditur se i moshuari, baba i pesë fëmijëve, akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas policisë, arrestimi i tij është kryer në kushtet e flagrancës pas një telefonate që mbërriti në sallën operative. “Këto akuza janë mëse të mjaftueshme për mbajtjen në qeli të autorit të kësaj ngjarje”, bëri të ditur policia e Kurbinit. Shkak për tentativën e vrasjes ishte një konflikt ndërmjet dy familjeve për rreth 10 dynym tokë. Viktima e mundshme, Tomë Lala kishte nisur ta punonte pasi kishte fituar pronësinë mbi të, me vendim të formës së prerë nga gjykata. Por ndërkohë, këtë pronë e kishte zënë forcërisht Pjetër Mema. Kur ai kishte parë Lalën duke punuar tokën, qëllon drejt tij me një automatik, tip kallashnikov. Policia e sinjalizuar arriti në fshat dhe arrestoi me akuzat e mësipërme të moshuarin, ndërkohë që në banesë iu gjet arma e krimit, si dhe një tjetër kallashnikov të cilat ai i mbante pa leje. r.n