Shijak, 46-vjecari vritet ne prite ne qendër të qytetit
SHIJAK- Një 46-vjeçar nga qyteti i Shijakut ka rënë pre e një atentati pasditen e djeshme, i cili i ka marrë jetën. Hysen Bega është ekzekutuar në qendër të Shijakut nga një person që i kishte zënë pritë disa orë më parë. Vrasësi ka qëlluar me breshëri automatiku e më pas është larguar me motor nga vendi i ngjarjes duke lënë babanë e tre fëmijëve të shtrirë përdhe në mes të rrugës. Disa orë më pas, policia e Tiranës ka arrestuar një person që përputhet me përshkrimin e dhënë nga kolegët e saj të Durrësit. Emri i të arrestuarit nuk është bërë ende publik por ai dyshohet se është autori i vrasjes së Hysen beges.
***
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se rreth orës 18 e 30 minuta, Hysen Bega, babai i tre fëmijëve të rritur, ka marrë rrugën për tu kthyer në banesën e tij, të cilën e kishte në lagjen "Erzeni" të qytetit të Shijakut. Në anën tjetër të rrugës, pas një ure, ndodhej edhe shtëpia e familjes Bega, një vilë e re. Viktima është përshëndetur me disa të njohur dhe teksa po ecte drejt urës së Erzenit për të arritur në shtëpi është përballur me një person, i cili ndodhej mbi një motor tip skuter. Personi që ndodhej mbi motor e ka thërritur viktimën në emër dhe sapo ai ka kthyer kokën është përballur me një breshëri të gjatë automatiku. Hysen Bega ka mbetur i shtrirë përdhe ndërsa vrasësi i është afruar disa metra e kur është siguruar se ai ka vdekur është larguar me shpejtësi me motor.
***
Sipas burimeve të policisë, arsyeja e këtij ekzekutimi është një grindje për motive të dobëta. Hetuesit lokalë kanë bllokuar vendin e ngjarjes dhe menjëherë kanë bërë sigurimin e provave materiale. Në asfalt janë gjetur rreth 17 copë gëzhoja automatiku, si dhe janë marrë gjurmët e gomave të motorçikletës me të cilën ishte larguar autori i krimit. Ndërkohë, hetuesit janë lidhur në radio për të bërë verifikimin e të gjitha pikave kontrolluese të qarkullimit rrugor në aksin Shijak-Durrës e Shijak-Tiranë, nga mund dhe të ishte larguar vrasësi. Viktima Hysen Bega kishte disa kohë që kishte marrë pronat e veta në bregun e rezervuarit të Shijakut që ndodhet në afërsi të lumit Erzen, ku kishte ngritur edhe shtëpinë.