E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Lushnjës, i penduari Liçi kërkon lirim me kusht

Petrit Liçi, i penduari i Bandës së Lushnjës paraqet sërish kërkesën për lirim me kusht në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Fatos Mahmutaj

Shqyrtimi i kërkesës pritet të bëhet paraditen e sotme, ndërsa Liçit i kanë mbetur edhe rreth një vit e gjysmë për të vuajtur nga dënimi i marrë në vitin 2005. Pas heqjes dorë vullnetarisht nga e njëjta kërkesë, dy javë më parë, Liçi e ripërsëriti atë në gjykatë duke ndryshuar formën e argumentimit. Sipas ligjeve në fuqi, gjykata kompetente për lirimet me kusht për sjellje të mirë në qeli është e asaj që ka dhënë vendimin nëse burgu ku po vuhet dënimi ndodhet brenda juridiksionit të gjykatës. Një muaj më parë 29-vjeçari lushnjar, Perit Liçi, ish-anëtar i bandës së Aldo Bares, depozitoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda një kërkesë me të cilën pretendonte se për shkak të sjelljes së mirë duhet të lirohej nga qelia para kohe. Pas hedhjes së shortit kërkesa iu dorëzua një gjyqtareje në këtë institucion, e cila nuk mundi të zhvillonte asnjë seancë pasi, vetë kërkuesi, i cila ka fituar statuset: “dëshmitar, i penduar dhe bashkëpunëtor i drejtësisë” hoqi dorë nga kjo. E ndodhur në këtë situata gjyqtarja e çështjes vendosi ta pushonte gjykimin.  Pas kësaj u përfol se kompetenca për të shqyrtuar këtë çështje i përket Gjykatës së Tiranës. Por tashmë kur pritej që kërkesa e tij të depozitohej në Gjykatën e Tiranës ai e ripërsëriti atë te Krimet e Rënda ku pas hedhjes së shortit u caktua një gjyqtar për ta shqyrtuar atë, i cili ka caktuar seancën e parë për t’u zhvilluar paraditen e sotme. Liçi ndodhet në qeli prej disa vitesh kur u arrestua në kuadër të Bandës së Lushnjës. Gjatë hetimit të çështjes ai pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë duke “fundosur” me dëshmitë e veta 14 anëëtarët e tjerë të bandës, përfshi edhe kreun e saj Aldo Bare, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare. Ndërkohë në procesin që përfundoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në shtator të vitit 2006, gjykata e gjeti fajtor Liçin për pesë vepra të rënda kriminale dhe e dënoi për to me 25 vjet burg por për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë dënimi për të u ul në tetë vite burg. Ndërkohë Gjykata e Apelit, e cila e shqyrtoi dosjen në fillim të vitit të kaluar vendosi t’i ulte edhe një vit nga dënimi Liçit, duke e dënuar përfundimisht atë me 7 vjet burg, të cilat sipas gjykatës duhet t’i vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Duke llogaritur paraburgimin e tejzgjatur të të dënuarve të Bandës së Lushnjës dhe kohën e qëndruar në qeli, Liçi pritet ta përfundojë dënimin pas rreth një viti e gjysmë. Tashmë jeta e Liçit është garantuar në një qeli, që ruhet nga forcat speciale. Ndërsa nuk dihet nëse pas largimit do vazhdojë të ruhet në banesë apo do i jepet mundësia të largohet jashtë shtetit me gjenealitete të ndryshuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›