E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja promovon “Librin e bardhë”, ç‘mendojnë gjyqtarët për Gjyqësorin

TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë promovoi dje “Librin e bardhë”.

Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, prezantoi dje botimin duke thënë se pas një pune disamujore në të gjithë vendin, mes zërave entuziast e atyre skeptik, mes pesimizmit e optimizmit gjyqësor, mes kreativitetit të dhjetëra gjyqtarëve dhe impotencës së logjikës juridike të disa të tjerëve, më së fundmi në mënyrë të suksesshme ka përfunduar faza e parë të fushatës “Libri i bardhë”. “Për të qenë sa më të paanshëm në këtë proces një grup i pavarur ekspertësh, lektorësh, avokatësh, juristësh punuan me mijëra faqe të “Librit të bardhë” për të sintetizuar dhe përmbledhur qëndrimet dhe rekomandimet e mbi 130 gjyqtarëve. Sot këto qëndrime do t’i adresohen deputetëve, krerëve të partive parlamentare dhe ministrave si një ekspertizë juridike për të hedhur themelet e një reforme afatgjatë në sistemin shqiptar të drejtësisë”, pohoi Spahiu. Duke folur për risitë që do të sjellë “Libri i bardhë”, Spahiu tha se, ky është garancia më e mirë për të hartuar një strategji reforme dhe ndryshimesh, të cilat do t’i japin fund realitetit të hidhur të antagonizmit mes ligjit dhe së drejtës. Më tej Spahiu shtoi se, nëpërmjet “Librit të bardhë” synohet realizimi i mekanizmave, të cilët duhen ndërtuar në të ardhmen për të shembur hendekun mes publikut dhe gjyqësorit. Ndërsa, sipas tij, për herë të parë gjyqtarët shqiptarë shpallin ambiciet e tyre për vetëqeverisje të gjyqësorit si një kontroll i balancuar kushtetues nëpërmjet instrumenteve monitorues dhe llogaridhënës. Më pas aktiviteti në KLD vazhdoi me prezantimin e 16 krerëve të rinj të gjyqësorit shqiptar me anëtarët e KLD-së. Gjatë takimit Spahiu pohoi se KLD nuk do tolerojë asnjë gjyqtar, apo drejtues gjykatash që do abuzojë me ligjet. Kurse ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pohoi se, do t’i jepet fund shpërdorimit të fondeve të gjykatave për blerjen e makinave të shtrenjta për drejtuesit e institucioneve, kur është fakt se në një pjesë të mirë të gjykatave mungojnë letra dhe sendet kancelerike, apo fakti tjetër se mjaft gjykata nuk disponojnë asnjë mjet. Po kështu ministri, duke folur për administratën e gjyqësorit sqaroi faktin se pagesat e sekretareve janë të ulëta, ndërsa vijoi se, numri i sekretareve nëpër gjykata nuk do të jetë më i madh se numri i trupave gjykues. “Nuk do të ketë më një sekretare për një gjyqtar, por një sekretare për një seancë gjyqësore”, pohoi ministri Alibeaj. Më pas e morën fjalën kryetarët e rinj të gjykatave, të cilët prezantuan problemet që kanë hasur në ditët e para të punës.     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›